“Gjithmonë me luftë kanë ikë prej këtu”, rrëfimi i ish-snajperistit të UÇK-së
“Se kanë marrë lehtë kurrë, gjithmonë me luftë, edhe gjithmonë me luftë kanë ikë prej ktuhit…”. Fshati Likofc i Skenderajt, nuk është shumë i madh për nga numri i banorëve e territorit, por zë një vend të rëndësishëm në historinë e re të Kosovës. Arif Aliu, një prej snajperistëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tregon […]
“Se kanë marrë lehtë kurrë, gjithmonë me luftë, edhe gjithmonë me luftë kanë ikë prej ktuhit…”.
Fshati Likofc i Skenderajt, nuk është shumë i madh për nga numri i banorëve e territorit, por zë një vend të rëndësishëm në historinë e re të Kosovës.
Arif Aliu, një prej snajperistëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tregon vetëm disa prej përballjeve, nga mësymjet e shumta të forcave armikut, për të marrë në kontroll Shtabin e Përgjithshëm.
“Këtu janë bo luftimë të mëdhaja, këtu katër herë serbët e kanë marrë këtë shtab, katër herë ua kemi rimarrë, gjithmonë na kanë sulmu nga të katër anët, nga Skenderaji, nga Kijeva, nga Drenasi nga Klina, edhe këtu janë bashku faktikisht, por jo pa luftë, këtu kemi luftu deri në 7 ditë, 10 ditë, 12 ditë”, ka thënë ai.
Në pak metra vend, në muret e dhomave të Shtabit, tani janë vetëm fotografitë e personaliteteve më të mëdha të UÇK-së, ndërsa Aliu tregon edhe për aktivitetet nga më të ndryshmet që ishin zhvilluar aty.
“Njëra ndër to është edhe ndrrimi i ushtarëve, serb me shqiptarë të UCK-së. Kur ka ra grupi i Mujë Kransiqit n kufi, I kanë marrë serbët peng disa ushtarë tonë, dhe në Shalë, ku I ka zënë UCK-ja, që kanë rënë në pritë forcat serbe, në këtë sallë u bë marrëveshja për ndërrimin e ushtarëve”, ka thënë tutje ai.
Gjatë luftës, Aliu kishte lënë snajperin e 12 ushtarët e tij, për të marrë një pozitë tjetër të rëndëishme, duke u bërë pjesë e Drejtorisë Poltike të UÇK-së, që udhëhiqej nga Hashim Thaçi, dhe kishte një mision tjetër të rëndësishëm për atë kohë.
“E kam kryer punën e gazetarit pa qenë gazetar, e kam kryer punën e kamermanit pa qenë kamerman, e kam kryer punën e fotografit pa qenë fotograf, e kam kryer punën e informatorit edhe në qendër edhe në terren. Nuk ka vend që skam qenë, nuk ka tokë që skam shkel;, me bo incizime të pushkatuarve të masakruerve, të luftimeve”.
Fillimi i gjykimit kundër ish-krerëve të UÇK-së, nën akuzat për krime lufte, është një prej pjesëve të kësaj historie që atij i dhemb më shumë.
“Ka me shkru historia, që lufta e Ushtrisë Clirimtare ka qenë sikur vetë emri i saj, Clirimatare e pastër sikur loti”, ka thënë.
Rruga e vetme e Kosovës drejt lirisë, sipas tij, ka qenë lufta e UÇK-së, dhe shprehet i vendosur se cili do të jetë vendimi i vetëm i mundshëm në përfundim të gjykimit në Hagë.
“Fundi i saj do të jetë vetëm një e vërtetë, zero vite burgim për krerët e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës”, ka deklaruar ai.















