GJKKO dënon Shpend Sokolin, shiti 18 mijë llogari personale në SHBA

jykata e Posaçme ka dënuar Shpend Sokolin për mashtrim kompjuterik me 3 vite e 8 muaj burg, pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Në total, dënimi i dhënë ndaj tij ishte 5 vite e 6 muaj heqje lirie.

Sipas vendimit, ai do ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë. Gjykata ka vendosur gjithashtu sekuestrimin e llogarisë së tij në platformën Binance dhe kthimin e provave materiale te personat që u përkasin.

Sokoli rezulton të jetë një nga personat e përfshirë në tregun e paligjshëm kibernetik RYDOX, ku tregtoheshin të dhëna për biznese dhe individë, kryesisht në SHBA. Nga ky aktivitet janë prekur rreth 18 mijë llogari.

Hetimet tregojnë se që nga shkurti i vitit 2016, platforma ka realizuar mbi 7600 shitje të dhënash, duke gjeneruar të ardhura prej të paktën 230 mijë dollarësh.

Në operacion kanë marrë pjesë FBI (zyra në Pittsburgh), Byroja Kombëtare e Hetimit, Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike në Shqipëri, Prokuroria Speciale e Kosovës, Policia e Kosovës dhe Policia Mbretërore e Malajzisë./Euronews.al

Të fundit nga rubrika