Të mërkurën e tre gushtit, Policia e Kosovës ka njoftuar se në Mitrovicë janë shqiptuar tetë gjoba ndaj pronarëve të lokaleve të gastronomisë për shkak të zhurmës që kanë shkaktuar në publik.

“Gjatë ditëve të fundit qytetarët në Mitrovicë janë ballafaquar me problemin e zhurmës, pasi lokale të ndryshme të gastronomisë në Mitrovicë kanë shkaktuar zhurmë të bezdisshme (muzikë me ton te lartë)”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas njoftimit, gjobat janë shqiptuar në bazë të autorizimeve dhe kompetencave policore dhe duke u bazuar në dispozitat e Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike.

Policia ka bërë të ditur se masa të tilla do të vazhdojnë të merren edhe në ditët në vijim në mënyrë që të parandalohet bezdisja nga zhurma dhe shqetësimi i qytetarëve, po ashtu do të shqiptohen gjoba ndaj të gjithë personave dhe subjekteve juridike pa përjashtim.