Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me gjashtë vjet burgim Jelena Gjukanoviq, për akuzën e spiunazhit. Gjukanoviq ishte e pranishme në sallën e gjykimit gjatë shpalljes së aktgjykimit ndaj saj.
Ajo ishte arrestuar më 28 shkurt të vitit 2025 në pikën kufitare të Jarinjës, në veri të Kosovës, dhe që nga ajo kohë ndodhej në paraburgim. Aktakuza ndaj saj është ngritur në shtator të po atij viti, ndërsa gjykimi ka nisur më 16 shtator të vitit të kaluar.
Gjukanoviq, e cila është nga Mitrovica e Veriut dhe punonte si zyrtare e Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, e ka mohuar fajësinë gjatë gjithë procesit gjyqësor. Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës në fjalën përfundimtare ka kërkuar dënim prej 25 vjetësh burgim.
Sipas aktakuzës, ajo ka transmetuar informacione të ndjeshme tek Agjencia Serbe e Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA), duke rrezikuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.
Prokurori special Bekim Kodraliu ka deklaruar gjatë procesit gjyqësor se Gjukanoviq ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me dy zyrtarë të BIA-s, Ratko Gajtanoviq dhe Lubisha Bukviq, dhe se me këtë të fundit është takuar disa herë në zyrat e BIA-s në Beograd.
Sipas tij, Gjukanoviq ka shfrytëzuar pozitën e saj në OSBE duke vepruar nën ndikimin e Aleksandar Vllajiqit, i dënuar tashmë për spiunazh, si dhe zyrtarëve të tjerë të inteligjencës serbe.
Prokuroria ka theksuar se përmes këtyre veprimeve është krijuar një “narrativ armiqësor” ndaj institucioneve të Kosovës, duke rrezikuar sigurinë e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe personelit ndërkombëtar në vend.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet vepër e rëndë penale dhe dënohet me të paktën pesë vjet burgim.
Në aktakuzë përmendet gjithashtu se në ditën e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) në Mitrovicën e Veriut në vitin 2022, Gjukanoviq ka komunikuar me Aleksandar Vllajiq, i cili është dënuar për të njëjtën vepër penale.
EKSKLUZIVE: Si manipuloi BIA serbe raporte të OSBE-së kundër Kosovës, përmes Jelena Gjukanoviq