Gjukanoviq i dha BIA-s serbe pasqyrë të qartë të situatës në veri

Gjykata Themelore në Prishtinë ka përshkruar në aktgjykimin e plotë mënyrën se si Jelena Gjukanoviq, ish-punonjëse e OSBE-së në Kosovë, i kishte përcjellë informacione Aleksandar Vllajiqit, i dënuar më herët për spiunazh dhe i identifikuar si agjent i shërbimit sekret serb, BIA.

Gjukanoviq është dënuar me gjashtë vjet burgim për veprën penale “Spiunazh”. Sipas aktgjykimit, informacionet që ajo kishte mbledhur dhe përcjellë kishin të bënin me zhvillimet politike dhe të sigurisë në veri të Kosovës, aktivitetet e OSBE-së, institucionet e Kosovës, Policinë e Kosovës, si dhe persona dhe organizata të ndryshme.

Në mesin e informacioneve të përmendura në aktgjykim janë edhe ato lidhur me kryetarin e zgjedhur të Mitrovicës së Veriut, Dragisha Milloviq, dhe Adriana Hoxhiqin.

Sipas gjykatës, më 14 mars 2022, Gjukanoviq e kishte informuar Vllajiqin për shqetësimet që, sipas saj, kishte OSBE-ja në Mitrovicë lidhur me bashkëpunimin me Milloviqin. Më pas, ajo i kishte përcjellë informacione edhe për Hoxhiqin, për një takim me një zyrtare të OSBE-së në Hagë, si dhe për diskutimet në një konferencë mbi krizën në Ukrainë dhe ndikimin e saj në Kosovë.

Në fund të komunikimit, sipas aktgjykimit, sic raporton Koha, Gjukanoviq i kishte thënë Vllajiqit se nuk e dinte nëse këto informacione ishin të dobishme për të, por kishte vendosur ta njoftonte.

Gjykata ka konstatuar se informacionet nuk ishin përcjellë rastësisht, por ishin mbledhur “në hollësi” dhe “me përkushtim” dhe i ishin dërguar Vllajiqit në kohë reale.

Informacione edhe për Policinë e Kosovës

Në aktgjykim përmenden edhe komunikimet ku Vllajiqi i kishte kërkuar Gjukanoviqit informacione për njësitë e Policisë së Kosovës.

Edhe pse ajo nuk kishte pozitë në organet e sigurisë, sipas gjykatës, Gjukanoviq kishte pranuar të siguronte informacionet e kërkuara dhe kishte premtuar se do të angazhohej për t’i siguruar ato.

Në raste të tjera, sipas aktgjykimit, ajo kishte përcjellë informacione për aktivitetet dhe investimet e organizatave islamike në disa komuna.

Gjykata ka vlerësuar se një pjesë e madhe e informacionit të përcjellë kishte të bënte me institucionet dhe organet e sigurisë së Kosovës, si dhe me zhvillimet në veri.

Gjykata: BIA kishte krijuar pasqyrë të qartë për veriun

Sipas arsyetimit të Gjykatës Themelore, informacionet e përcjella nga Gjukanoviq e kishin ndihmuar BIA-n serbe të krijonte një pasqyrë më të qartë të situatës në veri të Kosovës.

Në aktgjykim thuhet se, përmes këtyre informacioneve, BIA ishte njoftuar në baza ditore për zhvillimet në veri, qëndrimet e institucioneve ndërkombëtare, zhvillimet te banorët lokalë, bisedat e përfaqësuesve të organizatave joqeveritare serbe në Prishtinë dhe veprimet e Policisë së Kosovës.

Gjykata ka vlerësuar se këto informacione i kanë shërbyer BIA-s në realizimin e misionit të saj informativ.

Sipas aktgjykimit, shërbimi serb kishte shfrytëzuar edhe pozitën zyrtare të Gjukanoviqit në OSBE për të siguruar informacione për persona që punonin në këtë organizatë, përfshirë vendbanimet, vendet e punës, numrat e telefonit dhe aktivitetet e tyre.

Komunikimi zgjati nga viti 2018 deri në vitin 2024

Gjykata ka konstatuar se veprimtaria e Gjukanoviqit kishte zgjatur nga viti 2018 deri më 26 qershor 2024, kur Vllajiqi ishte arrestuar.

Sipas aktgjykimit, gjatë kësaj periudhe ajo, në cilësinë e zyrtares vendore të Misionit të OSBE-së në Kosovë, pranë Zyrës Rajonale në Mitrovicë, i kishte përcjellë Vllajiqit informacione të ndryshme dhe kishte vepruar sipas udhëzimeve të tij.

Gjykata ka vlerësuar se Gjukanoviq kishte vepruar me dashje dhe me vetëdije të plotë, duke e ditur se informacionet do t’i përcilleshin BIA-s.

Në aktgjykim thuhet gjithashtu se ajo kishte ndërmarrë veprime të përsëritura për të ndihmuar një shërbim të huaj informativ dhe se veprimet e saj ishin në kundërshtim me rregullat e brendshme të misionit ku punonte dhe me legjislacionin penal të Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vlerësuar se provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor e vërtetojnë përtej dyshimit të arsyeshëm se Gjukanoviq kishte kryer veprimet për të cilat akuzohej.

Për këto veprime, ajo është dënuar me gjashtë vjet burgim për spiunazh.

Shija e redaktorit

Thaçi rrëfen prapaskenat e Rambujesë: Nuk isha i sigurt nëse...

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, ka rrëfyer në një intervistë të gjerë dhe ekskluzive në Debat Plus disa prej...

“Të jetoj i lirë” – Intervista e fundit e Thaçit...

Presidenti, Hashim Thaçi, do të jetë protagonist i një interviste ekskluzive në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, e cila do të transmetohet nesër,...

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

Të fundit nga rubrika