Në mesin e Gjykatave që janë në këtë pallat, së shpejti pritet t’i bëhet vend edhe për një tjetër.

Kjo pasi që projektligji për Gjykatën Administrative, në mesjavë mori miratimin e qeverisë dhe u dërgua për shqyrtim në Kuvend.

Sipas këtij projektligji, brenda Gjykatës pritet të jenë edhe disa departamente, ai Fiskal që aktualisht është në kuadër të Gjykatës Komerciale, departamenti për konteste të punës, ai për skema sociale dhe departamenti i përgjithshëm.

Ish sekretari në Ministrin e Drejtësisë, Ardian Bajraktari thotë se kjo gjykatë do të ndërhynë në kompetencat e Gjykatës Komerciale, çka thohet se duhet të evitohet gjatë trajtimit në Kuvend.

“Do të duhej që në faza pasuese të rishikohet përmbajtja me theks të vecantë fakti që preket në substancë Gjykata Komerciale dhe ideja e themelimit të Gjykatës Komerciale ka qenë që me qenë një adresë e vetme për bizneset, andaj prekja e kompetencës përmes projektligjit të miratuar, në fakt e prek substancën e Gjykatës Komerciale, andaj në kuvend do duhej rishkuar kjo”, ka thënë Ardian Bajraktari – Ish sekretar në MD.

Të nevojshme këtë gjykatë e konsideron edhe ish kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala i cili thotë se është edhe njëri ndër kriteret për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

“Ka qenë domosdoshmëri jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por është një ndër kushtet apo kriteret që të hysh në Bashkësinë Evropiane, që të themelohet Gjykata Administrative. Gjykata Administrative është kompetente për ti zgjidhur të gjithë ato akte nënligjore që janë në kundërshtim me ligjin, që i nxjerin organet apo institucionet publike, mirëpo deri tani kemi pasur një departament në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës, që është munduar me i kry të gjithë ato lëndë të cilat të cilët i kanë drejtuar qytetraët, mirëpo vërtet shumë pak kanë mujt me i plotësu kushtet”, ka deklaruar Hasan Shala – Ish kryetar i Gjykatës së Apelit.

Gjykata Administrative parashihet të ketë shkallën e parë me 25 gjyqtarë dhe shkallën e dytë me nëntë gjyqtarë.

Nisma për themelimin e kësaj Gjykate është mirëpritur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, të cilët kanë thënë se kjo do të ndikojë në rritjen e efikasitetit në sistemin e drejtësisë.