Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka konstatuar se Rusia ka kryer shkelje të rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në vitin 2014, përfshirë vrasje jashtëgjyqësore, dhunë seksuale, tortura dhe punë të detyruar.

Në një vendim historik të publikuar të mërkurën, Dhoma e Madhe e gjykatës tha se nga data 11 maj 2014 deri më 16 shtator 2022 – kur Rusia u tërhoq nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut – shteti rus ka ushtruar “sjellje të paligjshme në mënyrë të qartë, në një shkallë masive”.

Gjykata identifikoi një sërë shkeljesh të rënda, përfshirë:

Sulme ushtarake pa dallim ndaj civilëve.

Ekzekutime të menjëhershme të civilëve dhe ushtarëve ukrainas.

Tortura dhe përdorim i përdhunimit si armë lufte.

Ndalime arbitrare dhe zhvendosje të detyruar të civilëve.

Kërcënime dhe dhunë ndaj gazetarëve dhe grupeve fetare që nuk i përkasin kishës ortodokse ukrainase pro-ruse.

Shpërndarje me forcë e protestave paqësore dhe ndalim i gjuhës ukrainase në shkolla.

Transferim dhe birësim i fëmijëve ukrainas në Rusi.

Shkatërrim dhe plaçkitje e pronës private.

Në vendimin e saj, gjykata theksoi se kishte prova të qarta për përdorimin e përhapur të dhunës seksuale nga forcat ruse si mjet për të terrorizuar dhe poshtëruar civilët ukrainas – gra, vajza, por edhe burra të paraburgosur.

“Përdhunimi dhe tortura seksuale ishin pjesë e një strategjie ushtarake për të dehumanizuar dhe thyer moralin e popullsisë ukrainase, si dhe për të pohuar dominim mbi territorin e pushtuar”, thuhet në vendim. Gjyqtarët e përshkruan këtë dhunë si “veçanërisht të neveritshme dhe brutale”.

Gjykata vlerësoi gjithashtu se Rusia ishte përgjegjëse për rrëzimin e avionit civil MH17 mbi Ukrainën lindore në vitin 2014, nga një raketë ruse që shkaktoi vdekjen e 298 personave në bord – një tjetër shkelje e rëndë e konventës.

Ukraina e përshëndeti vendimin si një “fitore historike dhe të pashembullt”, duke thënë se për herë të parë ka një dënim të qartë dhe të gjerë ndërkombëtar ndaj veprimeve të Rusisë. Ndërkohë, Rusia refuzoi të marrë pjesë në proces dhe ka deklaruar se nuk do ta njohë vendimin dhe as nuk do të paguajë ndonjë kompensim që mund të urdhërohet në të ardhmen.

Në këtë çështje, 26 shtete anëtare të Konventës Evropiane ndërhynë në mbështetje të Ukrainës, duke kërkuar që Rusia të mbahet përgjegjëse për krimet e kryera./The Guardian