Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, Bojan Jevtiq, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të spiunazhit dhe armëmbajtjes pa leje.

Sipas aktvendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, i pandehuri do të mbahet në paraburgim për një periudhë prej një muaji. Gjykata ka vlerësuar se kjo masë është e domosdoshme për shkak të rrezikut të ikjes, shmangies nga drejtësia, ndikimit të mundshëm mbi dëshmitarët dhe provat, si dhe për shkak të mundësisë së përsëritjes së veprave penale.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit B.J., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Spiunazhi dhe Armëmbajtje pa leje.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit B.J., ashtu që të njëjtit i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes, mund ti shmanget procedurës penale dhe se i njëjti do të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë, duke qenë se i njëjti dyshohet për vepër penale të një rrezikshmërie shumë të lartë përkatësisht për vepër penal spiunazhi, si dhe duke marr për bazë faktin se i njëjti cenon sigurinë kombëtare, jetën e zyrtarëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Gjykata po ashtu vlerësoj se nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë si dhe mund të përsëris veprën e njëjtë penale ose mund të kryejë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda.

Gjykata konsideron se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se cdo masë tjetër do të ishte e pamajftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.