Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur t’ia vazhdojë edhe për dy muaj masën e paraburgimit Fatmir Shehollit, i cili po hetohet nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të spiunazhit në vazhdimësi.
Lajmi është konfirmuar për Portalin Dukagjini nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e cila njoftoi se vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale.
“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit F.SH., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të Spiunazhit në vazhdimësi, gjyqtarja e procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës, përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të njëjtit i është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj.”, ka deklaruar Gashi.
Fatmir Sheholli u arrestua më 9 tetor të 2025-ës, nën dyshimin se ishte i përfshirë në veprimtari të spiunazhit, ndërsa hetimet ndaj tij po vazhdojnë nën drejtimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Në dosjen e prokurorisë thuhej se Sheholli kishte mbledhur informacione për kinse pronat e uzurpuara të serbëve në Kosovë dhe të njëjtat informacione i ka përcjell te BIA serbe përmes komunikimeve telefonike.