Gjykata Komerciale ka marrë një vendim duke pezulluar tërësisht njoftimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) lidhur me daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Ky vendim konsiderohet një fitore e rëndësishme për komunitetin e bizneseve në Kosovë.

Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Shoqatës së Prodhuesve, Kushtrim Ajvazi, i cili përmes një postimi në Facebook ka theksuar se vendimi i Gjykatës është pezulluar në tërësi, dhe jo vetëm për ndonjë nen specifik të njoftimit të ZRrE-së.

“E mira e këtij aktvendimi është se Gjykata ka pezulluar tërësisht vendimin/njoftimin për daljen në treg të lirë, dhe jo vetëm për ndonjë nen specifik”, ka shkruar Ajvazi, duke shtuar se ky është një sinjal i qartë se vendimi i ZRrE-së është konsideruar i jashtëligjshëm në tërësi.

Ai ka përgëzuar ekipin e avokatëve që janë angazhuar në këtë çështje, duke theksuar se “kanë bërë një punë të shkëlqyer për të bindur Gjykatën që ZRrE ka detyruar në mënyrë të paligjshme bizneset për të kaluar në tregun e lirë”.

Sipas Ajvazit, ky vendim përbën një hap të madh drejt mbrojtjes së interesave të bizneseve dhe garantimit të rendit juridik në vend.

“Drejtësia po funksionon. Vazhdojmë deri në fund!” – ka përfunduar Ajvazi në reagimin e tij.

Ky vendim i Gjykatës Komerciale pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në zhvillimet e ardhshme rreth liberalizimit të tregut të energjisë dhe rolin e ZRrE-së në këtë proces.