Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ka lëshuar aktvendimin mbi kërkesën referuese të ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, duke konstatuar se nuk ka pasur asnjë shkelje të Kushtetutës së Kosovës apo të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në procesin penal ndaj tij.
Mustafa kishte parashtruar një sërë pretendimesh që lidhen me të drejtat dhe liritë e tij themelore gjatë procedurës gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës, një pjesë e ankesave të tij janë shpallur të papranueshme, ndërsa pjesa tjetër është rrëzuar për mungesë themeli.
“Z. Mustafa kishte paraqitur pretendime për shkelje të të drejtave dhe lirive të tij në lidhje me procesin penal kundër të tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Në aktvendim, Dhoma e Gjykatës Kushtetuese i shpalli të papranueshme një numër ankesash të tij, kurse të tjera i rrëzoi.
Z. Mustafa u ankua për shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë si pasojë e mungesës së arsyetimit prej Trupit Gjykues dhe Panelit të Apelit në lidhje me verdiktin e fajësisë së tij për vrasje të paligjshme. Në lidhje me këtë, Dhoma e Gjykatës Kushtetuese nuk konstatoi gabime faktike ose ligjore në arsyetimin e dhomave penale që do të vinin në pikëpyetje konstatimet e tyre. Gjithashtu u theksua se procesi ballafaques kishte qenë në të mirë të z. Mustafa në këtë aspekt. Rrjedhimisht ankesa u shpall e papranueshme.
Z. Mustafa gjithashtu u ankua se Paneli i Gjykatës Supreme nuk kishte identifikuar me saktësi dispozitën ligjore më të butë për dënimin e tij kur përjashtoi që ligjin që kishte qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprave penale. Në lidhje me këtë, Dhoma e Gjykatës Kushtetuese kujtoi se mbi bazën e nenit 162(1) të Kushtetutës së Kosovës, Dhomat e Specializuara funksionojnë në pajtim me kornizën e tyre ligjore brenda sistemit juridik të Kosovës. Rrjedhimisht të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kapitullin II të Kushtetutës vlejnë në kontekst të kësaj kornize autonome. Gjithashtu u konstatua se i vetmi ligj detyrues në fuqi lidhur me dënimin në Dhomat e Specializuara është Ligji nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që nuk u kërkon trupave gjykues të zbatojnë ligje të tjera të Kosovës në dhënien e dënimeve për krime ndërkombëtare, por vetëm t’i mbajnë parasysh ato ligje. Për këtë arsye u konstatua se pretendimi i z. Mustafa për shkelje të Kushtetutës së Kosovës ose të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e Të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, nuk qëndronte.
Së fundi, z. Mustafa u ankua se vendimi i Panelit të Gjykatës Supreme për të lejuar Mbrojtësin e Viktimave që të paraqiste përgjigje me shkrim ndaj kërkesës së tij për mbrojtje të ligjshmërisë kishte shkelur të drejtat e tij për gjykim të drejtë. Dhoma e Gjykatës Kushtetuese konstatoi se asgjë në ankesën e Mustafës nuk krijonte perceptimin e shkeljes së një të drejte kushtetuese. Dhoma gjithashtu theksoi se z. Mustafa nuk e kishte ngritur këtë problem para Panelit të Gjykatës Supreme dhe rrjedhimisht nuk kishte shfrytëzuar të gjitha mjetet e efektshme sipas ligjit në lidhje me këtë. Si pasojë, ankesa u shpall e papranueshme”, thuhet në njoftim.