Gjykata Kushtetuese do të organizojë këtë të hënë aktivitetin “Dita e Gjykatës së Hapur”, në shënim të Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, miratuar më 9 prill të vitit 2008.

Sipas njoftimit, në këtë ditë, të gjithë qytetarët, e veçanërisht studentët e drejtësisë, përfaqësuesit e komunitetit juridik dhe vizitorët e tjerë, do të kenë mundësi që të vizitojnë objektin e Gjykatës Kushtetuese dhe të njihen më për së afërmi me Gjykatoren, me Bibliotekën dhe me ambientet në të cilat punojnë gjyqtarët dhe zyrtarët e Gjykatës, si dhe të informohen drejtpërsëdrejti përkitazi me historikun, me punën e deritanishme dhe me kompetencat kushtetuese të këtij institucioni.

Vizitat do të koordinohen për grupe prej pesëmbëdhjetë personash në një kohë, duke filluar nga ora 10:00 deri në 14:00, me një kohëzgjatje maksimale prej dyzet e pesë minutash për vizitë.

“Organizimi i vizitës së qytetarëve të interesuar do të bëhet në përputhje me kapacitetet akomoduese që ofron ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese dhe për grupe prej jo më shumë se pesëmbëdhjetë personash në të njëjtën kohë. Vizitat do të organizohen çdo orë, ndërmjet orës 10:00 dhe 14:00, ndërsa kohëzgjatja maksimale e vizitës do të jetë dyzet e pesë minuta”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, para vizitës në Gjykatë, të gjithë vizitorët e moshës mbi 16 vjeç duhet të kenë me vete dhe të dorëzojnë në recepcion një dokument zyrtar identiteti (kartë studentore, letërnjoftim apo pasaportë).

Gjatë vizitës, vizitorët do të kenë mundësi të bëjnë foto vetëm në Gjykatore dhe në oborrin e Gjykatës.