Pesë zyrtarët policor të arrestuar nën dyshimet për vrasje nga pakujdesia do të vazhdojnë të qëndrojnë nën masën e paraburgimit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan këtë të mërkurë ka marr vendimin e dytë për masën e sigurisë, pas kthimit në rivendosje nga Gjykata e Apelit.

Në vendimin e siguruar nga televizioni thuhet se Themelorja ka arsyetuar secilën provë veç e veç, e jo sikurse kishte konstatuar Apeli që vetëm i ka listuar.

“Nga kjo gjykatë, provat e shënuara më lartë jo vetëm se janë listuar por secila veç e vec janë analizuar dhe ka ardhur në përfundim se dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale e cila iu vihet në barrë më së miri vërtetohet nga deklarata e dëshmitarit okular Gazmend Bleta, i cili natën kritike ishte në vendin e ngjarjes dhe në detale ka përshkruar çdo lëvizje të tani të ndjerit Agon Zejnullahut, tentimet e tij që të njëjtin ta qetësoj si dhe veprimet e zyrtarëve policor-tani të pandehurve…” – GJYKATA THEMELORE NË PRISHTINË

Tutje në vendimin e shkallës së parë thuhet se si provë e rëndësishme janë edhe CD me videoincizime të natës kritike.

“Dyshimi i bazuar në drejtim të veprës penale për çka dyshohen të pandehurit mbështetet edhe në dëshmitë CD-me videoincizime që gjinden në shkresat e lëndës ku shihen veprimet inkriminuese të të pandehurve se ditën kritike në bashkëkryerje kanë vepruar dhunshëm në kundërshtim me rregullat e brendshme të policisë për arrestimin e të dyshuarve. Kjo vërtetohet nga kërkesa e prokurorit të shtetit për caktimin e paraburgimit në të cilën përshkruhen veprimet e të pandehurve, si dhe nga CD e vendit të ngjarjes ku qartë shihen veprimet e secilit të pandehur..” – GJYKATA THEMELORE NË PRISHTINË

Gjykata në arsyetimin e vendimit ka përmendur edhe raportet e tensionuara mes palëve.

“..i ndjeri Agon Zejnullahu dyshohet të ketë ndërruar jetë si pasojë e veprës penale e cila u vihet në barrë të pandehurve, çka përbënë rrethanë që rrit tensionin mes të pandehurve dhe familjarëve të të ndjerit. Për më tepër ekziston mundësia e përshkallëzimit të konfliktit apo tensioneve të reja në këto rrethana qëllimi parandalues i masës së paraburgimit është jo vetëm që të garantoj mbarëvajtjen e hetimeve por edhe të parandaloj përsëritje e veprave të ngjashme” – GJYKATA THEMELORE NË PRISHTINË

Ibrahim Nela, Albian Ratkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, u arrestuan më 7 korrik nën dyshimet për vrasje nga pakujdesia të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu.

Zejnullahu dyshohet se vdiq derisa ishte duke u arrestuar nga këta zyrtarë policor.