Gjykata në Serbi ia zgjat paraburgimin ish-policit Arbnor Spahiu edhe 30 ditë
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka njoftuar se Gjykata e Lartë e Suboticës ka vendosur të vazhdojë edhe për 30 ditë të tjera masën e paraburgimit ndaj ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiu, i arrestuar nga autoritetet serbe më 7 qershor. Përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, MPJD ka bërë […]
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka njoftuar se Gjykata e Lartë e Suboticës ka vendosur të vazhdojë edhe për 30 ditë të tjera masën e paraburgimit ndaj ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiu, i arrestuar nga autoritetet serbe më 7 qershor.
Përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, MPJD ka bërë të ditur se vendimi është marrë sot, e mërkurë, pas kontaktit të zyrës me avokatin mbrojtës të z. Spahiu.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, po vazhdon përpjekjet intensive për trajtimin e drejtë dhe adresimin institucional të rastit të arrestimit të z. Arbnor Spahiu nga autoritetet serbe. Në kuadër të këtij angazhimi, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, informon opinionin publik se sot, e mërkurë, më 9 korrik 2025, pas kontaktit me avokatin mbrojtës të z. Arbnor Spahiu, është njoftuar se Gjykata e Lartë e Suboticës ka vendosur vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj tij për edhe 30 ditë të tjera”, thuhet nga ana e MPJD-së.
Prokuroria e Lartë e Suboticës ka ngritur procedurë penale ndaj Spahiut, me pretendime për përfshirje në ngjarjet e Banjskës, ndonëse, sipas avokatit të tij, deri më tani nuk është paraqitur asnjë provë konkrete që e implikon atë.
Avokati ka dorëzuar para gjykatës edhe dokumente zyrtare nga institucionet e Kosovës, të cilat dëshmojnë se Spahiu ka dalë nga radhët e Policisë së Kosovës vite para incidentit në Banjskë.
Sipas MPJD-së, Zyra Ndërlidhëse ka bërë të ditur se ka komunikuar me familjarët e tij, të cilët nesër, më 10 korrik, do të udhëtojnë drejt Suboticës për ta vizituar atë.
Në ndërkohë, Zyra Ndërlidhëse do të dorëzojë kërkesë formale për lejimin e vizitës institucionale tek Spahiu, e cila pritet të miratohet brenda kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme.
MPJD thotë se mbetet e përkushtuar që rasti të trajtohet në mënyrë të drejtë dhe transparente, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe obligimet që rrjedhin nga dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.















