Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë të pandehurve, të dyshuar për bashkëkryerje të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Të pandehurit G.Z., A.G., L.M., D.G. dhe E.A. do t’i nënshtrohen masës “Ndalimi për t’iu ofruar vendit apo personit të caktuar”, në kohëzgjatje prej një muaji, nga 8 shtatori deri më 8 tetor 2026.
Gjykata ka urdhëruar që pesë të pandehurit të mos i afrohen në distancë prej 200 metrash Komunës së Fushë Kosovës.
“Gjyqtari i procedurës paraprake pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, përmes Aktvendimit ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit si të pa bazuar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Përveç kësaj, ndaj të pandehurve është caktuar edhe masa e paraqitjes në stacionin policor, po ashtu për një muaj.
Gjykata ka paralajmëruar se në rast të mosrespektimit të masave të shqiptuara, ndaj të pandehurve mund të caktohet masa e paraburgimit.
“Me rastin e vendosjes, Gjykata konstatoi se me masat e lartcekura tani për tani do të arrihet që procedura penale të zhvillohet e pa penguar”, thuhet në njoftim.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.