Zhvillime të reja kanë ndodhur në procesin gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë marrë vendim për pranimin e disa dokumenteve në prova, me kërkesë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Por një pjesë e këtyre dokumenteve janë dorëzuar nga institucione të Serbisë, përfshirë Ministria e Brendshme serbe, Shërbimi i Sigurimit Shtetëror serb.
Krejt këto shihen në vendimin për pranimin e këtyre provave, i cili mban datën më 29 maj 2025, por i cili u bë publik më 25 korrik.
“Provat e Propozuara 43-45 janë të datuara, tregojnë klasifikimin e dokumenteve dhe mbajnë një numër protokolli. Përveç kësaj, Prova e Propozuar 45 është e nënshkruar. Lidhur me Provën e Propozuar 51, Paneli vëren se ajo përbëhet nga [E REDAKTUAR]. Për këto arsye, Paneli është i bindur se Raportet Serbe janë prima facie autentike”.
Tjera dokumente përmbajnë shënime nga takimet e një tjetër institucioni të Serbisë.
“Për më tepër, në lidhje me Provën e Propozuar 47, Paneli vëren se: (i) faqet 03085485-03085513, 03085559-03085561, 03085564-03085565, 03085568-03085569, 03085572-03085575, 03085583-03085585, dhe 03085588-03085589 përmbajnë shënime në fletore me shënime mbi takimet e Komandës së Përbashkët të Kosovës dhe Metohisë, të cilat përfshijnë datat e zhvillimit të takimeve përkatëse, si dhe emrat e disa prej pjesëmarrësve në këto takime; dhe (ii) faqja 03085476 përmban faqen e parë të fletores. Për këto arsye, Paneli është i bindur se Dokumentet e Ndryshme Serbe janë prima facie autentike”.
Po ashtu, në këtë vendim u kuptua që Dhomat e Specializuara pranuan si prova edhe disa përmbajtje video me intervista me anëtarë të UÇK-së, për rolin dhe strukturën komanduese.
Pos kësaj, përfshihen edhe libra dhe dorëshkrime të ndryshme për Luftën në Kosovë.
Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së vlerëson se dokumentet nga Serbia kërkojnë vlerësim më rigoroz për të përcaktuar besueshmërinë.
“Shumë nga dokumentet që burojnë nga shteti serb kanë pak ose aspak rëndësi apo vlerë provuese për akuzat në këtë çështje”, përmendet në vendim, të ketë thënë mbrojtja.