Trupi gjykues në Dhomat e Specializuara për Kosovën në Hagë ka refuzuar mocionin e mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), për rrëzimin e akuzave ndaj tyre.

Me këtë vendim, trupi gjykues ka hedhur poshtë kërkesën e avokatëve mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët kishin kërkuar që aktakuza të shpallej e pabazë dhe të pushonin procedurat penale ndaj klientëve të tyre.

Gjykata ka vlerësuar se ekziston bazë e mjaftueshme provash për të vazhduar procesin gjyqësor ndaj të akuzuarve, të cilët po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, tha se heqja e peridhës para fundit të majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999 do ta fragmentonte rastin.

Smith tha po ashtu se rregullat gjyqësore parashohin kundërshtim të pikave të aktakuzës si të tilla e jo kundërshtim të pikave të veçanta, siç ka bërë mbrojtja. Seanca pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve të Mbrojtësit të Viktimave.