Shumë reagime erdhën pas aktgjykimit të djeshëm të Gjykatës Supreme që shpalli të paligjshëm dhe shfuqizoi udhëzimin administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve fiskale që ishte nënshkruar nga ministri në detyrë, Hekuran Murati.

Por, pos kësaj ky vendim ngriti edhe pikëpyetje të tjera, për vendimet e shumta, përfshirë të ngjashme, akte nënligjore, që Qeveria në detyrë i  ka marr pas certifikimit të rezultateve, e që sipas aktgjykimit të Supremes, janë të paligjshme.

Qeveria në detyrë pas datës 27 mars, kur u certifikuan rezultatet, ka marr rreth 100 vendime, përfshirë emërime në pozita të larta udhëheqëse.

Dukagjini ka analizuar edhe numrin e udhëzimeve administrative të publikuara në Gazetën Zyrtare pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe del se janë gjithsej gjashtë udhëzime të miratuara.

Një nga Qeveria e Kosovës, një nga Ministria e Arsimit, një nga ajo e Financave, një nga Ministria e Infrastrukturës dhe një nga ajo e Shëndetësisë.

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tregoi për format se si mund të shfuqizohen këto vendime e udhëzime, nëse vlen parimi i njëjtë i paligjshmërisë së vendosur nga Supremja.

“Ky vendim i Gjykatës Supreme prek vetëm një vendim pra vetëm një udhëzim administrativ që e ka nënshkruar Ministri Murati në ndërkohë nuk i prek vendimet dhe udhëzimet e tjera që ka ndërmarr Qeveria sepse për tu prekur edhe ato, për tu bërë NUL atëherë duhet të inicohen edhe padi të tjera edhe nga organe të tjera ose nga çokush palë që është i prekur nga këto vendime”, ka thënë Naim Jakaj – IKD.

Për këtë situatë pati reagim edhe nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

“Vlerësojmë që vendimmarrja e Gjykatës Supreme në rastin konkret është konform kompetencave që i njihen me Ligjin për Konfliktet Administrative. I njëjti ka reflektuar qëndrimin tonë se secili vendim që merret nga ana e zyrtarëve me post ekzekutiv e njëkohësisht të certifikuar si deputetë është i kundërligjshëm dhe duhet të shfuqizohet. GLPS bën thirrje në respektimin e vendimmarrjes së gjykatave dhe që secili vendim i Qeverisë në largim të merret në përbërje legjitime dhe konform kufizimeve ligjore” – GLPS

Ankesën në Gjykatën Supreme kundër vendimit të ministrit në detyrë Hekuran Murati, e kishte dërguar një kompania Enternet SHPK.