Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës ka aprovuar kërkesëpadinë e paraqitur nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kundër Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), duke shpallur si të paligjshëm dhe duke shfuqizuar paragrafi 2 i nenit 3 të Rregullores së Punës së KPM-së, të miratuar më 17 janar 2025.

Aktgjykimi vlerëson se rregullorja në fjalë ishte në kundërshtim me ligjin dhe se përmes saj ishte bërë edhe një zgjedhje e jashtëligjshme e kryetarit aktual të KPM-së, z. Besnik Berisha. Dosja i është kthyer gjykatës së shkallës së parë për shqyrtim të mëtejmë lidhur me ligjshmërinë e këtij emërimi.

I ftuar në emisionin Five, Gëzim Shala nga IKD e ka cilësuar vendimin si lajm të mirë dhe të rëndësishëm, duke theksuar se më në fund është vendosur ligjshmëria në një institucion që, sipas tij, kishte devijuar nga mandati i tij.

“Ideja është që ligji e përcakton qartë – nuk mund të zgjidhet kryetari i KPM-së përderisa është në detyrë një tjetër. Vetëm pasi të përfundojë mandati, hapet rruga për zgjedhjen e një të riu,” theksoi Shala.

Sipas tij, KPM kishte shpikur një rregullore që i hapi rrugë shkeljes së ligjit, duke bërë emërimin e një kryetari të ri ndërkohë që mandati i kryetarit aktual ende nuk kishte përfunduar.

“Kjo rregullore ishte e kundërligjshme si nga procedura, ashtu edhe nga përmbajtja. Dhe në bazë të saj u bë një emërim që cënoi rëndë pavarësinë e institucionit,” shtoi Shala.