Gjykata Themelore në Pejë ia cakton masën e paraburgimit të dyshuarit për vrasjen e nënës se tij
Kërkesa e Prokurorisë Themelore në Pejë për t’ia dhënë një muaj paraburgim të dyshuarit për vrasjen e nënës se tij, është aprovuar nga Gjykata Themelore në Pejë, saktësisht nga Departamenti për Krime të Rënda. Ndërsa, vrasja e rëndë kishte ndodhur më 14 prill në qytetin e Pejës, një grua e moshës rreth 58-vjeçare, që dyshohej […]
Kërkesa e Prokurorisë Themelore në Pejë për t’ia dhënë një muaj paraburgim të dyshuarit për vrasjen e nënës se tij, është aprovuar nga Gjykata Themelore në Pejë, saktësisht nga Departamenti për Krime të Rënda.
Ndërsa, vrasja e rëndë kishte ndodhur më 14 prill në qytetin e Pejës, një grua e moshës rreth 58-vjeçare, që dyshohej që vrasësi i saj kishte qenë djali i saj.
“Të pandehurit iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, pasi gjykata konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar, duke pasur parasysh se i pandehuri është duke u hetuar për vepër të rëndë penale, për të cilën Kodi Penal ka paraparë dënim me burgim, jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore të Pejës – Departamenti për Krime të Rënda.
Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë të Gjykata Themelore të Pejës – Departamenti për Krime të Rënda.
Caktohet masa e paraburgimit ndaj të pandehurit U.H për vrasje të rëndë.
15 prill 2022 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit U.H, i dyshuar për vepër penale vrasje e rëndë nga neni 173 par.1 nënpar. 1.3 dhe 1.4 të KPRK-së.
Të pandehurit iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, pasi gjykata konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar, duke pas parasysh se i pandehuri është duke u hetuar për vepër të rëndë penale, për të cilën Kodi Penal ka paraparë dënim me burgim, jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dhe se i pandehuri posedon leje qëndrimi jashtë shtetit, rrethana këto të cilat gjykata ka vlerësuar se tregojnë rrezikun e lartë se me gjetjen e të njëjtit në liri apo nën çfarëdo mase tjetër alternative, do të arratiset apo në çfarëdo mënyre do t’i shmanget organeve të ndjekjes dhe në këtë mënyrë do të pamundësojë apo vështirësojë në masë të madhe zhvillimin e hetimeve. Po ashtu, duke pasur parasysh peshën e veprës penale, mënyrën tejet mizore të kryerjes së veprës penale nga ana e të pandehurit, pasojat e rënda të kësaj vepre si dhe faktin se në këtë çështje pritet që të dëgjohen dëshmitarët okularë, të cilët janë familjarë të pandehurit, gjykata vlerësoi se të gjitha këto janë rrethana të posaçme që tregojnë rrezikun e lartë se me gjetjen e të njëjtit në liri apo nën çfarëdo mase tjetër alternative, do të arratiset apo në çfarëdo mënyre do t’i shmanget organeve të ndjekjes, do të mund të përsërisë veprën e njëjtë apo të ngjashme penale apo do të mund të ndikojë në dëshmitarë, dhe në këtë mënyrë do të pamundësojë apo vështirësojë në masë të madhe zhvillimin e hetimeve, por edhe procedurës penale në përgjithësi.
Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.















