Në fshatin Banjë të Istogut më 30 prill, një gjyqtare ka raportuar në polici se, gjatë një shqyrtimi në terren bashkë me avokaten dhe persona të tjerë të angazhuar për një çështje pronësore, janë kanosur me armë zjarri nga një i dyshuar.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, i dyshuari i ka kërcënuar zyrtarët dhe u ka kërkuar të largohen nga prona në fjalë.

Me urdhër të prokurorit është bastisur shtëpia e tij, por ai nuk është gjetur, ndërsa as arma nuk është sekuestruar.

Policia po vazhdon hetimet dhe është në kërkim të të dyshuarit.

“Fsh. Banje, Istog 30.04.2025 – 13:45. Ankuesja femër kosovare-gjyqtare, ka informuar se së bashku me avokaten dhe personat e angazhuar kanë dalë në një vend ngjarje për shqyrtimin e lëndës dhe verifikimin e gjendjes momentale, ku  i dyshuari mashkull kosovar pasi që i ka vërejtur zyrtarët në pronën kontestuese i ka kanosur me armë zjarri dhe u ka kërkuar që të largohen nga aty. Me urdhër të prokurorit është bërë bastisja e shtëpisë së të dyshuarit, mirëpo i njëjti  ishte në arrati dhe arma nuk është gjetur”, thuhet ne raportin 24-orësh të Policisë.