Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari thotë se nuk kishin detaje konkrete për strukturën e UÇK-së

Dëshmitari i 25-të në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka thënë se nuk kanë pasur detaje konkrete për strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)

FOTO: Betimi për Drejtësi

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari i 25-të (me kodin 03724), Douglas Young, ish-oficer i ushtrisë britanike, tha se nuk kanë pasur detaje konkrete për strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Dëshmitari e bëri këtë deklarim, duke u përgjigjur në kundërpyetjet e mbrojtësit të Thaçit, avokatit Luka Mishetiqraporton “Betimi për Drejtësi”.

Filimisht, avokati Mishetiq i lexoi një pjesë të raportit të OSBE-së ku ishin përmendur vështirësitë e monitorimit për shkak të detajeve jo të mjaftueshme për strukturën e UÇK-së në fund të shkurtit 1999.

Lidhur me këtë, ai tha se nuk kanë pasur detaje konkrete siç kanë pasur për forcat serbe, ndonëse nuk ishte edhe pa asnjë informacion, duke shtuar se po punonin për të mbledhur sa më shumë informacione në interes të paqes dhe në interes të vetë UÇK-së.

Paraprakisht, Young tha se nuk e njeh dikë me emrin Nikolas, ndërkaq kur u pyet për takimin në Trepezë, avokati Mishetiq kërkoi të kalohet në seancë private dhe se disa pyetje janë zhvilluar në sesion privat.

Tutje, i pyetur nëse sipas tij formacioni më i lartë i UÇK-së nënkuptonte Shtabi i Përgjithshëm, ai u përgjigj me ‘‘po’’, por pranoi se nuk ka pasur kontakte të mirëfillta me ta.

Në vazhdim, dëshmitari u pyet për personin Milaim Mazreku, që në një raport ishte thënë se ishte shok me Komandant Çelikun.

Për të, Young tha se kishte pasur marrëdhënie të mira me të dhe se e dinte se ka kryer universitetin me ‘‘Çelikun’’, por se nuk kishte njohuri nëse ata ishin shokë apo jo.

Gjithashtu, tha se përmes Mazrekut janë përçuar mesazhe për përfaqësues lokalë të UÇK-së, por tha se atë më shumë e ka prezantuar si kryetar i komunës së Malishevës sesa si anëtar i LDK-së.

“Edhe pse Mazreku ishte anëtar i LDK-së, ishte i rëndësishëm dhe se konsiderohej si të ishte kryetar i Malishevës, kështu e kam prezantuar unë më shumë si kryetar i komunës sesa si anëtar i LDK-së, ishte edhe vetë i kujdesshëm mos me u prezantu si figurë politike, por përpiqej me i prezantu më së miri të gjithë njerëzit e Malishevës’’, tha Young.

Në vazhdim të seancës, dëshmitari ka filluar të përgjigjet edhe në pyetjet e mbrojtësit të Veselit, avokatit Ben Emmerson.

Dëshmitari pohoi se “funksionet e Misionit Verifikues në Kosovë (MVK) u rritën pas marrëveshjes për armëpushim dhe se situata ka qenë e ndjeshme për shkak të demantimit nga shqiptarët se si komuniteti ndërkombëtar kishte rënë dakord me këtë marrëveshje dhe se brenda territorit të Kosovës kishin mbetur ende forca të armatosura të Serbisë”.

Ai pohoi se “MUP-i kishte ende automjete të blinduara dhe kamionë për transportimin e armëve dhe mjeteve të tjera”.

Young tha se “ata monitoronin zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit por edhe çështjet e të drejtës humanitare, por theksoi se një konfrontim ushtarak mund të ndodhte dhe mos të kishte shkelje të ligjeve humanitare”.

Tutje, dëshmitari tha se “ka pasur incidente edhe tjera por se masakra e Reçakut ishte shkelja kryesore më e madhe dhe e parë e marrëveshjes së armëpushimit”.

Ai u pajtua se “Reçaku ka qenë pikë kthese në vendosmërinë e ndërkombëtarëve që Kosova të mos bëhet një Bosnje tjetër”.

Sipas tij, ka pasur një cikël dhune, duke shtuar se “ka pasur dijeni që UÇK-ja ka gjuajtur në drejtim të MUP-it para se të ndodhë Reçaku, dhe Reçaku ishte përgjigja që i dha situatës MUP-i’’.

Po ashtu, ai tha se ka njohuri se janë bërë biseda në mes të përfaqësuesve të UÇK-së dhe amerikanëve, britanikëve, gjermanëve e të tjerë, por se nuk e di se ku kanë ndodhur takime të tilla. Ai shtoi se e dinte se kanë mundur të ndodhin edhe jashtë Kosovës.

Young tha se është në njohuri se” bisedat nëse dhe kur perëndimi do ta bombardonte Serbinë dhe si do të ishte mënyra e duhur që të vepronte UÇK-ja, ishin biseda sekrete të bëra në mes të shërbimeve sekrete të vendeve”.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika