Gjykimi në mungesë, nga 15 vjet burgim Rajkoviqit dhe Deniqit për dhunë seksuale gjatë luftës
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me nga 15 vjet burgim Ivica Rajkoviqin dhe Dragan Deniqin, për krime lufte kundër popullsisë civile, konkretisht për dhunë seksuale të kryer gjatë luftës në Kosovë. Vendimi është marrë në mungesë të të akuzuarve, të cilët nuk ndodhen në Kosovë. Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, […]
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me nga 15 vjet burgim Ivica Rajkoviqin dhe Dragan Deniqin, për krime lufte kundër popullsisë civile, konkretisht për dhunë seksuale të kryer gjatë luftës në Kosovë.
Vendimi është marrë në mungesë të të akuzuarve, të cilët nuk ndodhen në Kosovë.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, Rajkoviqi dhe Deniqi, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë kryer veprën penale gjatë luftës në Prishtinë, duke torturuar, plaçkitur dhe dhunuar viktimën e identifikuar si D1.
Në dëshminë e saj, viktima D1 ka deklaruar se fillimisht është dhunuar nga i akuzuari Deniq, dhe më pas edhe nga Rajkoviq.
Ky është aktgjykimi i parë në Kosovë që shpallet në mungesë për rastet e dhunës seksuale të kryera gjatë luftës së fundit.
Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj të dyve më 14 shtator 2023.















