Në fund të shqyrtimit gjyqësor ka arritur procesi kundër katër të akuzuarve Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq, Aleksander Vlajiq dhe Miomi Vaki për sulmin ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të Kosovës.

Në seancën e sotme, përveç Aleksander Vlaiqit, i cili ka dhënë mbrojtjen e tij, të akuzuarit e tjerë janë mbrojtur në heshtje.

Vlaiq, i cili ka punuar gjatë në Policinë e Kosovës, tha se ditën kur kishte ndodhur sulmi kishte kaluar aty rastësisht.

“Gjatë rrugës për në shtëpi kur kam ardhur afër zyrës së KKZ-së e kam parë se janë të thyer xhamat e zyrës dhe kam fotografuar dhe ja kam dërguar Slobodan Dimitrieviqit që ka punuar në atë zyrë”, deklaroi Vlaiq.

Ndërkohë prokurori e ka pyetur Vlaiqin për disa biseda me një person, një ditë para se të ndodhte sulmi në Mitrovicë të Veriut.

“Me datë 5.12.2022 një ditë para se të ndodhte sulmi ndaj KKZ-së ju keni biseduar dhe keni komunikuar me një person si në vijim: në mëngjes duhet të vijnë zotnitë në KKZ dhe jo sonte. Do të vëzhgojmë nesër, do jetë ua ua, ata do e ndjejnë pulsin dhe ju keni deklaruar siç na thonë nga lartë kështu do bëjmë, unë do të ju njoftoj për atë që do të ndodhë. Sulmi ka ndodh një natë më pas, çka mundesh me u deklaru në lidhje me këtë?”, pyeti prokurori Kodraliu.

 “Përgjigja ka të bëjë se kam qenë duke biseduar me djalin e hallës…nofkën e të cilit mund ta shihni në shkresat e porosisë. Ka pasur të bëjë se a do të bojkotojmë ose do dalim në zgjedhje. Ajo çka kam thënë nga lart se qëndrimi i Serbisë ka qenë të mos dalim në zgjedhje dhe të veprojmë siç thonë ata”, u përgjigj Vlaiq.

Në këtë seancë është administruar si provë edhe vendimi i Qeverisë së Kosovës, me të cilin “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” janë shpallur organizata terroriste. Pantiq, Milenkoviq, Vlajiq e Vakiq, akuzohen nga Prokuroria Speciale se kanë kryer sulmin terrorist ndaj zyrave të KKZ-së, duke hedhur granata dore dhe shok bomba.