Gjykimi ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit që ka ndodhur më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri policor heroi, Afrim Bunjaku, po shkon drejt përfundimit.
Në seancën e sotme, pritet që mbrojtja e të akuzuarve dhe vetë të akuzuarit të paraqesin fjalët përfundimtare para trupit gjykues. Në seancën e mbajtur më 15 prill, fjalët përfundimtare i kishte paraqitur Prokuroria Speciale, përfaqësuar nga prokurori Naim Abazi, si dhe përfaqësuesit e palëve të dëmtuara.
Në këtë rast po gjykohen Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët ndodhen në paraburgim që nga dita e sulmit.
Dy prej tyre, Spasojeviq dhe Toliq, kanë zgjedhur të mbrohen në heshtje gjatë procesit gjyqësor.
Ndërkohë, Maksimoviq ka dhënë deklaratë në gjykatë, duke i mohuar akuzat dhe duke pretenduar se në ditën kritike nuk ka qenë në Banjskë.
Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon gjithsej 45 persona për përfshirje në sulmin e armatosur në Banjskë, përfshirë edhe tre të akuzuarit aktualë në paraburgim, duke e cilësuar ngjarjen si sulm terrorist që rezultoi me vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku.