Gjykimi për sulmin në Banjskë prek fundin, kërkohet burgim i përjetshëm për të akuzuarit

Dënimi më i rëndë i mundshëm është kërkuar sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, për tre të akuzuarit që po gjykohen për sulmin terrorist në Banjskë. Prokurori i Prokurorisë Speciale, Naim Abazi, gjatë fjalës së tij në procesin që ka mbërritur në fazën përfundimtare, publikoi edhe video të të akuzuarve gjatë sulmit, për të cilin tha se nuk ishte spontan, por ishte i përgatitur ndër vite me mbështetjen e shtetit serb

Fiks një vit prej se ka nisur gjykimi ndaj tre të akuzuarve, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq ky proces gjyqësor tashmë ka prekur fundin.

Në seancën e mbajtur këtë të mërkurë, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, janë dhënë fjalët përfundimtare të prokurorit special e të avokatëve të palëve të dëmtuara.

Prokurori Naim Abazi, tek ka thënë se secila provë e administruar në këtë proces gjyqësor dëshmon fajësinë e të akuzuarve, ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për secilin.

“Dënimi në këtë rast nuk ka vetëm funksion represiv ndaj sjelljes konkrete të të pandehurve por edhe funksion të qartë parandalues, e drejta penale përvec se sanksionon shkeljen synon mbrojtjen e rendit juridik dhe të qojë mesazh të qartë shoqërise se cenimi i vlerave themelore nuk mbetet pa pasoja në një rast si ky kur kemi të bëjmë me një sulm të armatosur kundër policisë së Kosovës dhe kundër rendit kushtetues, mesazhi juridik duhet të jetë i qartë i prerë dhe i padiskutueshëm, sulmet ndaj institucioneve tona kushtetuese nuk tolerohen dhe ndëshkohen me ashpërsinë më të lartë ligjor”, ka deklaruar Abazi.

Abazi prezantimin e fjalës përfundimtare e ka shoqëruar edhe me video ku shiheshin veprimet e të akuzuarve, të cilët si pjesë e grupit që sulmoi zyrtarët policor, hapat e parë i kishin marrë në vitin 2021, dhe mbësheteshin nga shteti serb.

“Kjo nuk është veprimtari spontane është një veprimtari e planifikuar në mënyrë të kujdesshme dhe sistematike në orët e para të mëngjesit grupi ka vepruar sipas planit operacional fillimisht kanë vendos barrikada me kamionë, kanë kryer monitorimin e terrenit janë pozicionuar njësi të armatosura dhe më pas kanë filluar sulmin e drejtëpërdrejt ndaj institucionit në këtë rast policisë së Kosovës”, ka deklaruar ai.

Se të akuzuarit duhet të dënohen me dënim maksimal që parashihet me kodin penal të Kosovës, e tha edhe avokati i familjes së rreshterit të vrarë, Afrim Bunjakut.

“Ju po i shihni rrethanat që kanë ndodhë edhe në gjykatë Afrim Bunjaku dhe unë si përfaqësues i tij, po vazhdon me u vra po vazhdon me u vra familja e tij, me faktin se askush nuk është pendu e as nuk janë distancuar prej krimit”, ka theksuar Arianit Koci- Avokat i familjes Bunjaku.

Ndërkohë që avokatët e policëve që u lënduan gjatë shtatorit të vitit 2023 folën edhe për pasojat që vazhdojnë ti vuajnë të njëjtit.

“Alban Rashiti nga ky sulm terrorist nga këta të pandehur dhe shokët e tyre pësoj plagë të rënda trupore, plagë në këmbë plagë tjetër në dorë dhe në gjoks dhe plagë të tjera psiqike ku akoma nuk ka rifilluar punën dhe akoma nuk është shëruar e rehabilituar”, ka deklaruar Naim Rudari – Avokat i Alban Rashitit.

“Tre të akuzuarit që janë prezent pra është dëshmuar mjaftueshëm se kanë qenë pjesë aktive e grupit terrorist e i cili grup nuk është formuar rastësisht. Çlirim Shaqiri nga ky sulm terrorist nga këta të pandehur dhe shokët e tyre, u lëndua si nga aspekti fizik dhe psiqik, ku i njëjti akoma nuk ka rifilluar punën”, ka theksuar Besjana Ismajli- Avokate e Çlirim Shaqirit.

Në seancën e ardhshme do të vazhdohet me fjalët përfundimtare të avokatëve mbrojtës të të akuzuarve, hap që i bënë rrugë vendimit final, i cili pritet të shpallet javën e ardhshme.

Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq janë nën masën e paraburgimit, ndërkohë që procedura është vecuar nga ajo ku janë të akuzuar edhe 42 persona të tjerë, përfshirë kreun e grupit Milan Radojciq, meqë të njëjtit vazhdojnë të jenë në arrati.

Shija e redaktorit

SHBA kërkon mbylljen e UNMIK-ut: Kosova s’mund të trajtohet si...

Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Tammy Bruce, ka ritheksuar qëndrimin e SHBA-së për...

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë shënon 18-vjetorin e ngritjes

Më 8 prill 2008, statusi i Misionit të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ndryshoi zyrtarisht nga “Zyrë e SHBA-së” në “Ambasadën e SHBA-së në...

Ipeshkvi Dodë Gjergji uron Fitër Bajramin nga BIK-u: Thirrje për...

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. Së...

Të fundit nga rubrika