Gjysma e nëntorit, disa shkolla të Mitrovicës pa ngrohje dhe mungesë peleti
Është data 16 nëntor, por mbi 700 nxënës të shkollës fillore “Skënderbeu”, në Vaganicë të Mitrovicës janë duke vijuar mësimin pa ngrohje. Prindi Esat Lushtaku ka dy fëmijë në këtë shkollë. Ai tregon se mësimi për ta në temperatura të ulëta është i papërballueshëm. “I kam dy fëmijë njëra në klas të shtat dhe një […]
Është data 16 nëntor, por mbi 700 nxënës të shkollës fillore “Skënderbeu”, në Vaganicë të Mitrovicës janë duke vijuar mësimin pa ngrohje.
Prindi Esat Lushtaku ka dy fëmijë në këtë shkollë. Ai tregon se mësimi për ta në temperatura të ulëta është i papërballueshëm.
“I kam dy fëmijë njëra në klas të shtat dhe një në klas të dytë, njëherë nëmje nuk ka, nuk e di çka është problem, viteve të tjera në këtë kohë ka pas nxemje gjithë, sivjet jo, problem kështu më viju mësimin”, ka thënë ai.
Nga udhëheqësit e shkollës arsyetohen se mos lëshimi i ngrohjes ka të bëjë me rinovimin e shkollës, ani pse të njëjtit pranojnë se peleti nga komuna ende nuk ka ardhur.
“Pak më herët me lajmërun nga DKA-ja se është përzgjedh operatori për të furnizuar shkollat me pelet dhe gjatë vikendit pritet mu bë edhe furnizimi me të”, Naser Rrahmani-Sekretar i shkollës “Skënderbeu”.
Njëjtë sikur shkolla “Skënderbeu”, me pelet nuk ishte e furnizuar as shkolla Model “Ismail Qemali” në këtë komunë.
Udhëheqësit e saj, kërkesat i kishin bërë publike një ditë me parë në rrjetet sociale, që t’u bëhet zgjidhje dhe të sigurohet lënda djegëse.
Ndonëse jo gjatë ditës, shkollës në fjalë peleti u erdhi vetëm në orët e vona të natës së 15 nëntorit.
Gjatë së enjtes, televizioni Dukagjini ka kërkuar një përgjigje nga drejtoresha e Arsimit në Mitrovicë të Jugut, Drita Kadriu, por ajo përmes telefonit ka thënë se për vonesën e përzgjedhjes së operatorit duhet të jap përgjigje Komuna.
Për atë se kush është përzgjedhur dhe kur do të përfundoj furnizimi me lëndë djegëse, zyrtarët e tjerë komunalë nuk kanë qenë të qasshëm gjatë ditës as në zyrat e tyre.
Afati i fundi për pranim të operatorëve për tenderin “Furnizim me Lëndë Djegëse pelet” për Institucionet komunale në Mitrovicë, ka qenë 8 shtatori.















