GLPS përshëndet vendimin e BE-së për fillimin e heqjes së masave: I kushtoi miliona euro Kosovës dhe dëmtoi i kredibilitetin evropian
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mirëpritur vendimin e Bashkimit Evropian për fillimin e heqjes së masave ndaj Kosovës, vendim që organizata e konsideron të vonuar, por të domosdoshëm. Në një reagim zyrtar, GLPS vlerëson se masat e vendosura nga BE kanë qenë të padrejta dhe kanë shkaktuar humbje të mëdha për vendin, […]
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mirëpritur vendimin e Bashkimit Evropian për fillimin e heqjes së masave ndaj Kosovës, vendim që organizata e konsideron të vonuar, por të domosdoshëm.
Në një reagim zyrtar, GLPS vlerëson se masat e vendosura nga BE kanë qenë të padrejta dhe kanë shkaktuar humbje të mëdha për vendin, si financiare ashtu edhe politike.
“Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) mirëpret vendimin e BE për fillimin e heqjes së masave ndaj Kosovës, ndonëse e vonuar. Masat ishin të padrejta, vendosja e tyre ishte gabim, ndërsa lënia e tyre në fuqi për një kohë kaq të gjatë ishte gabim edhe më i madh.
GLPS ka qenë organizata e vetme që ka monitoruar masat dhe ka publikuar hulumtim mbi to. Sipas vlerësimit tonë masat i kanë kushtuar Kosovës së paku mbi 100 milionë euro në kosto oportune, kryesisht në projekte të IPA të dedikuara për sundim të ligjit, demokraci, infrastrukturë etj. Po ashtu, vlen të ceket se ato edhe kanë dëmtuar rëndë kredibilitetin e BE. Më konkretisht, përderisa autorët e sulmit të Banjskës enden të lirë në Beograd dhe takohen me ministra shtetërorë, qytetarët e Kosovës të jenë nën masa të BE.
GLPS vlerëson se formimi i institucioneve do të krijonte momentum pozitiv për heqjen e plotë të këtyre masave. Vetëm heqja e plotë e masave do të mund të krijonte vullnet të mirë për përshpejtimin e reformave në rrafshin e integrimit evropian e sidomos në dialog me Serbinë.
Në këtë kontekst, Përfaqësuesja e Lartë Kaja Kallas ka një mundësi të artë për zhbërjen e dëmit të paraardhësit të saj ndaj dialogut dhe kredibilitetit të BE-së. Fillimi i heqjes së këtyre masave përbën ogur të bardhë dhe shpresojmë që ky është një sinjal pozitiv për rikthimin e balancit në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi.
GLPS do të vazhdojë monitorimin e masave deri në heqjen e plotë të tyre dhe integrimin evropian në përgjithësi. Shpresojmë se vizita e znj. Kallas përbën një kapitull të ri në marrëdhëniet e Kosovës me BE”, thuhet në reagimin e GLPS.















