Në mëngjesin e sotëm janë ekzekutuar 14 masa paraprake në kuadër të një hetimi të përbashkët të Drejtorisë Anti-Mafia të Barit dhe SPAK-ut në Shqipëri.
Masat lidhen me persona të dyshuar për përfshirje në vrasjen e 26-vjeçarit nga Barletta, Francesco Diviesti, si dhe në një rrjet të dyshuar për pastrim parash midis Italisë dhe Shqipërisë.
Sipas hetuesve, një nga të dyshuarit është vendosur në arrest shtëpiak, tre të tjerë në detyrim paraqitjeje, ndërsa pjesa tjetër janë dërguar në paraburgim.
Hetimi po zhvillohet nga Drejtoria Hetimore Anti-Mafia e Barit dhe Skuadra Fluturuese e policisë së Andrias, me mbështetjen e SPAK-ut dhe Zyrës së Ekspertit të Sigurisë në Tiranë. Në qendër të hetimeve është një grup i organizuar me bazë në Shqipëri, i dyshuar për transferim të paligjshëm parash nga Italia drejt Shqipërisë.
Operacioni është koordinuar nga Eurojust, agjencia evropiane për bashkëpunim gjyqësor, përmes një Ekipi të Përbashkët Hetimor ndërkombëtar.
Hetimet e autoriteteve italiane lidhin gjithashtu skemën e dyshuar të pastrimit të parave me vrasjen e Diviestit, e cila ndodhi më 25 prill 2025 në Canosa di Puglia.
Diviesti, parukier 26-vjeçar nga Barletta, ishte zhdukur në mbrëmjen e 25 prillit pasi ishte larguar nga shtëpia rreth orës 20:30. Ai ishte parë për herë të fundit në berberhanen ku punonte me të atin, ku kamerat e sigurisë e kishin kapur duke hyrë dhe duke lënë skuterin e tij.
Pas disa ditësh kërkimesh intensive, më 29 prill, trupi i tij gjysmë i djegur u gjet nga karabinierët në një zonë rurale mes Canosa di Puglia dhe Minervino Murge, në vendin e quajtur “Femmina morta”./TCH