Kombëtarja holandeze e futbollit ka marrë një goditje të madhe në prag të FIFA World Cup, pasi një nga lojtarët më të rëndësishëm ofensivë, Xavi Simons, do të mungojë në këtë turne.
Mesfushori ofensiv ka pësuar një dëmtim serioz në gju, konkretisht këputje të ligamentit kryqëzor, që e detyron të qëndrojë jashtë fushave për një periudhë të gjatë. Lëndimi ndodhi të shtunën gjatë ndeshjes në Premier League, ku Tottenham Hotspur triumfoi 1:0 ndaj Wolverhampton Wanderers.
Simons u detyrua të largohet nga fusha pas shqetësimeve në gju, ndërsa ekzaminimet mjekësore konfirmuan më të keqen – një dëmtim që zakonisht kërkon disa muaj rikuperim dhe shpesh nënkupton mungesë deri në fund të sezonit.
Kjo është një humbje e madhe jo vetëm për përfaqësuesen holandeze, e cila pritej të mbështetej shumë në kreativitetin dhe energjinë e tij në repartin ofensiv, por edhe për Tottenhamin, që aktualisht po lufton për mbijetesë në elitën e futbollit anglez.
Stafi mjekësor i klubit londinez tashmë ka nisur procedurat për trajtimin e lojtarit, ndërsa rikthimi i tij në fushë pritet të zgjasë disa muaj, duke e bërë të pamundur pjesëmarrjen në Botëror.