Ardian Gola, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka deklaruar para fillimit të seancës së jashtëzakonshme se orientimi i partisë së tij është që Feride Rushiti të jetë presidente e vendit.
Në një paraqitje për media, ai theksoi se Rushiti vlerësohet për profilin dhe integritetin e saj, duke e konsideruar si figurë që mund të bashkojë spektrin politik.
“Orientimi pak a shumë është për Feridën për shkak të një biografie të jashtëzakonshme të saj. Mendoj që është një person me integritet e kredibilitet të pakontestueshëm, autoritetet e tilla mendoj që do duhej të prodhonin një konsensus politik”, u shpreh Gola.
I pyetur nëse emri i Rushitit është diskutuar në takimet ndërmjet kryeministrit dhe partive opozitare, ai tha se ka pasur përmendje joformale, por jo si pjesë e dialogut zyrtar.
“Ka pas përfolje, por nuk është që është përmendë si emër rreth të cilit është dialogu”, deklaroi ai.