Është një nga rrugët kryesore në qendër të Ferizajt kurse kjo pompë e derivateve ishte cak i një grabitje mesnatën e së martës.

Një person i armatosur ka hyrë në objekt dhe ka plaçkitur një shumë të konsiderueshme parash.

E ky nuk është rasti i parë që po ndodhë në këtë pompë.

Menaxherët e kësaj kompanie, kanë treguar për RTV Dukagjinin, se ata ishin grabitur edhe më parë por askush nuk është arrestuar.

“Nuk është hera e parë po Policia e ka rastin në hetim. Edhe ma herët ka ndodhë por nuk ka pasur të arrestuar. Policia i ka të gjitha të dhënat”, ka deklaruar Egzon Haliti, menaxheri i përgjithshëm i “Alba Petrol”.

Nga njoftimi i Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se një person ka raportuar se derisa ishte në vendin e tij të punës, një person i panjohur nën kërcënimin e armës i ka grabitur rreth 500 euro të gatshme. Aty nuk jepen më shumë detaje vetëm se rasti po hetohet.

“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se, deri sa ishte në vendin e tij të punës në pompë derivatesh, një person i panjohur nën kërcënimin e armës i ka grabitur rreth 500 € para të gatshme. Rasti është duke u hetuar”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.

Lidhur me ketë ngjarje gjatë ditës, përgjigje nuk kanë kthyer Prokuroria në Ferizaj.