Policia e Kalifornisë ka nisur një hetim të gjerë pas vjedhjes së më shumë se 1,000 objekteve nga koleksioni i Muzeut të Oaklandit, një ngjarje që ka tronditur komunitetin kulturor të shtetit dhe më gjerë.
Sipas autoriteteve, grabitja ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të 15 tetorit, në një depo të muzeut që ndodhet jashtë ndërtesës kryesore. Hajdutët kanë arritur të depërtojnë në objekt dhe të marrin një sasi të konsiderueshme artefaktesh, përfshirë bizhuteri metalike, shporta të punuara nga komunitetet autoktone amerikane dhe një koleksion të gjerë objektesh historike të shekullit XX.
Drejtoresha e muzeut ka bërë të ditur se hetimi është bërë publik për shkak të dyshimeve se artefaktet mund të jenë futur në tregjet e zeza ose në dyqane të antikiteteve.
“Këto nuk janë thjesht një humbje për muzeun — janë një humbje për publikun dhe për komunitetin tonë. Shpresojmë që qytetarët të ndihmojnë në kthimin e tyre”, ka deklaruar ajo.
Në hetim është përfshirë edhe Byroja Federale e Hetimit (FBI), përmes njësisë së saj të specializuar në krime arti, e cila po ndjek pista që lidhen me vjedhje, falsifikime dhe trafikim të pasurisë kulturore. Ekspertët mendojnë se një pjesë e sendeve mund të jetë shitur tashmë në tregje ndërkombëtare të antikiteteve.
Ky nuk është rasti i parë që muzeu bëhet shënjestër e grabitësve. Në vitin 2013, një vjedhje e ngjashme përfshiu një kuti bizhuterish nga periudha e “Etheve të Arit”, e cila u rikthye falë ndihmës së publikut — një skenar që drejtuesit e muzeut shpresojnë të përsëritet edhe kësaj radhe.
Incidenti ndodhi vetëm pak ditë përpara grabitjes së njohur në Luvrin e Parisit, duke ngritur shqetësime për një valë të re krimesh të drejtuara ndaj trashëgimisë kulturore botërore.