Valdrin Grainca, konsull i Kosovës në Danimarkë ka theksuar rëndësinë e konsultimeve të para politike me partnerët ndërkombëtarë, duke i cilësuar ato si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të dialogut politik dhe thellimit të bashkëpunimit dypalësh.

Në një postim në “Linkedin”, Grainca tha: “Konsultimet e para politike riafirmuan përkushtimin tonë të përbashkët për forcimin e dialogut politik dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh. Diskutimet theksuan fushat kyçe me interes të ndërsjellë, përfshirë tranzicionin drejt energjisë së gjelbër, sundimin e ligjit dhe stabilitetin rajonal.”

Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit në mbështetje të vlerave demokratike, zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit euroatlantik – si prioritete të përbashkëta mes Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë.

“Presim me padurim avancimin e mëtejshëm të këtij partneriteti,” ka shkruar Grainca, duke shprehur optimizëm për thellimin e marrëdhënieve ndërkombëtare në të gjitha fushat strategjike.

Ai ka thënë se delegacionin e Kosovës në këto takime në Kopenhagë e ka kryesuar Mentor Tahiri, drejtor për Evropë, BE dhe rajon në MPJD.