Emisari i presidentit amerikan Donald Trump për misione të veçanta, Richard Grenell, ka ngritur shqetësime mbi mënyrën se si USAID shpenzon fondet e taksapaguesve amerikanë në vendet e huaja.
Në një postim në platformën sociale X, Grenell shkroi se miliarda dollarë janë dhënë për organizata joqeveritare (OJQ) të orientuara nga krahu i majtë për të nxitur politika radikale.
“Amerikanët e palodhur paguajnë taksa – politikanët në Uashington, DC i shpenzojnë ato para në mënyrë të pamatur. Miliarda dollarë u janë dhënë OJQ-ve të krahut të majtë për të nxitur politika radikale në vende të tjera”, deklaroi Grenell.
Postimi i tij u publikua bashkë me një statistikë mbi shpenzimet e USAID në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën.
Kujtojmë se pak ditë më parë, presidenti Trump lëshoi një urdhër për ndalimin e përkohshëm të ndihmës globale të USAID për një periudhë 90-ditore. Ky vendim prek edhe Kosovën, ku USAID ka aktualisht 17 projekte aktive që mbështesin zhvillimin e vendit.
Instituti GAP ka paralajmëruar për ndikimin që kjo ndalesë mund të ketë.
“Urdhëri i Presidentit të SHBA për ndalimin e përkohshëm të ndihmës së huaj për 90 ditë, në Kosovë i ndikon rreth 17 projekte aktive të financuara nga USAID që japin kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e vendit”, deklaroi Instituti GAP.