Ministri i Jashtëm i Greqisë ka vizituar Turqinë për të ofruar mbështetje këtë të diel, pasi vendi u godit nga një tërmet shkatërrues të hënën e 6 shkurtit. Kjo vizitë u realizua pavarësisht rivalitetit të ashpër të këtyre dy shteteve anëtare të NATO-s.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, gjatë vizitës është takuar me homologun e tij turk, Mevlut Cavugoslu, dhe më pas të dy kanë hipur në një helikopterë për t’i vizituar zonat e prekura nga tërmetet.

“Dua të përcjell te udhëheqja turke dhe populli turk ngushëllimet më të sinqerta nga Qeveria e Mitostakis dhe nga i gjithë populli grek për humbjet pas dy tërmeteve shkatërruese”, ka thënë Dendias gjatë konferencës për media në Cavugoslun në Antakia, duke iu referuar kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis.

“Kjo tregon solidaritetin e popullit grek me Turqinë dhe me popullsinë turke. Greqia është një ndër shtetet e para që ka thirrur Turqinë për t’i ofruar ndihmë pas tërmeteve”, ka shtuar Cavusoglu.

Greqia dhe Turqia kanë rivalitet që daton me shekuj, por rivaliteti mes tyre është përkeqësuar për shkak të mosmarrëveshjeve territoriale dhe të energjisë dhe së fundmi nga kërcënimet e bëra nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, për pushtim.

Por, të dy shtetet fqinje, të cilat gjenden mbi dy linja sizmike, kanë traditë që ta ndihmojnë njëra-tjetrën gjatë fatkeqësive natyrore.

Cavusoglu ka kujtuar ndihmën që shtetet i kishin dhënë njëra-tjetrës më 1999, kur Turqia dhe Greqia u goditën nga tërmetet.

“Shpresoj që do të bëjmë përpjekje për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjet tona përmes dialogut, që do të zhvillohej në një mënyrë të sinqertë”, ka thënë kryediplomati turk.

Dendias po ashtu ka thënë se “ne nuk kemi nevojë të presim që të ndodhin fatkeqësi natyrore për të përmirësuar raportet tona”, teksa shtoi se ndihma për Turqinë do të vazhdojë.

Nga tërmetet e fuqishme të 6 shkurtit, në Turqi dhe Siri deri më tani janë konfirmuar mbi 29 mijë viktima.