Gruda i përgjigjet Rrustemit: Hajde votoje ligjin, e ke rastin t’ia heqësh një kompetencë Speciales

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, lidhur me qasjen politike ndaj Gjykatës Speciale në Hagë.

Duke folur në Debat Plus, Gruda ka kritikuar reagimin e Rrustemit, duke thënë se në vend të deklaratave politike, deputetët duhet ta shqyrtojnë dhe ta votojnë nismën ligjore të PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

“Përbesë jam i shokuar qysh mund t’i shkruash këto gjëra në këtë kohë. Ty ta kanë thyer shtyllën kurrizore të shtetit të Kosovës dhe ti tallesh, thu jeni jo serioz”, ka thënë Gruda.

Ai ka deklaruar se projektligji i propozuar nga PDK-ja, sipas tij, lidhet me trajtimin e procesit në Hagë dhe me atë që e konsideron mbrojtje të historisë së Kosovës.

“O zotëri, e ki një ligj përpara, ky ligj e mbron historinë e Kosovës, i mbron ata në Hagë e mbron të ardhmen e Kosovës. Kush ta kontrollon historinë, ta kontrollon edhe të ardhmen”, është shprehur Gruda.

Gruda i ka bërë thirrje Rrustemit dhe deputetëve të tjerë që ta mbështesin nismën ligjore, duke thënë se ajo paraqet mundësi për ndryshimin e kompetencave të Gjykatës Speciale.

“Çka janë këto? Pse po qet kajde kot, hajde votoje ligjin. Nëse ke qenë kundër GJS kur është votuar, sot është më shumë argument të votosh pro këtij ligji. Ja ku e ke rastin t’ia heqësh një kompetencë Gjykatës Speciale”, ka deklaruar Gruda.

Reagimi i tij erdhi pasi Rrustemi kishte kritikuar qasjen e PDK-së ndaj Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se çështja e Gjykatës Speciale nuk duhet të trajtohet vetëm përmes kalkulimeve politike.

Rrustemi kishte shkruar se PDK-ja fillimisht e konsideron Kuvendin jokushtetues dhe e ka dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa më pas i drejtohet të njëjtit Kuvend për miratimin e ndryshimeve ligjore për Specialen.

PDK-ja ka propozuar ndryshime në ligjin për Specialen, me synim kufizimin e mandatit të saj dhe ndryshimin e kompetencave për trajtimin e rasteve. Nisma është dorëzuar në Kuvend, ndërsa PDK-ja ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese edhe çështje që lidhen me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.

Të fundit nga rubrika