Gruda: Nesër do ta kontestojmë edhe zgjedhjen e Qeverisë në Kushtetuese
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka bërë të ditur se PDK-ja do ta kontestojë në Gjykatën Kushtetuese edhe zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, një ditë pasi dorëzoi kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës së konstituimit të Kuvendit. Gruda tha se PDK-së “nuk i ka mbetur rrugë tjetër” përveç adresimit të çështjes […]
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka bërë të ditur se PDK-ja do ta kontestojë në Gjykatën Kushtetuese edhe zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, një ditë pasi dorëzoi kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës së konstituimit të Kuvendit.
Gruda tha se PDK-së “nuk i ka mbetur rrugë tjetër” përveç adresimit të çështjes në Kushtetuese, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka shkelur afatet kushtetuese dhe më pas ka përfituar nga këto shkelje.
“Nuk na ka mbetur rrugë tjetër përveçse t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese. Ka një parim themelor në drejtësi që thotë që askush nuk mund të përfitojë nga shkelja e vet. Lëvizja Vetvendosje nuk mund të shkelë çdo afat dhe në fund të përfitojë nga këto lloj shkeljesh. Nuk mund të krijojmë një precedent ku një parti politike i zëvendëson afatet e përcaktuara në Kushtetutë me afatet e veta politike. Asnjë shumicë, sado e madhe qoftë ajo, nuk mund të shkelë Kushtetutën. Kushtetuta ekziston për të kornizuar pushtetin, për të vendosur nën një kornizë. Nëse Kuvendi i Kosovës është themeluar me këto pikëpyetje kushtetuese, vendimet që dalin nga ai kanë probleme po ashtu kushtetuese. Prandaj, ne sot, përveç konstituimit të Kuvendit që kontestuam sot formës së konstituimit të afateve, nesër do të dorëzojmë një kërkesë tjetër ku do të kontestojmë zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Nuk mund të vazhdojmë të lejojmë që Kuvendi të zgjedhë organet qendrore të shtetit, duke pasur dilema kaq të mëdha kushtetuese dhe me legjitimitetin e vet”, ka thënë Gruda.
Gruda tha se nëse konstituimi i Kuvendit është bërë me pikëpyetje kushtetuese, atëherë edhe vendimet që dalin nga ky institucion mund të kenë probleme të ngjashme.
“Në një demokraci kushtetuese, legjitimiteti nuk buron vetëm nga vota, vetëm nga numrat. Në demokraci kushtetuese, legjitimiteti i institucioneve të shtetit buron nga respektimi i Kushtetutës po ashtu. Prandaj, kjo qeveri ka probleme, dhe ky pushtet në tërësi ka problem me kushtetutshmërinë dhe legjitimitetin e vet. Ju faleminderit shumë, dhe po ia kaloj tash fjalën kolegut tonë”, tha ai.















