Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka paraqitur një sërë vërejtjesh lidhur me projektligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke theksuar se drafti aktual përmban mangësi të rëndësishme procedurale dhe ligjore.
Sipas Grudës, një nga problemet kryesore është mungesa e konsultimit publik para miratimit të projektligjit në Qeveri.
“S’ka pasur konsultim publik, duhej të vihej në konsultim publik para miratimit në Qeveri. Një ligj kaq i ndjeshëm duhet t’i nënshtrohet një debati nga profesionistët. Duhej t’i jepej mundësi secilit qytetar që të japë mendimin për këtë ligj. Është standard që kërkohet. Ka qenë një lëshim që s’do të duhej të ndodhte. Mund të organizojmë mes dy leximeve, konsultim publik për legjislacion, ia kam propozuar edhe ministres. Mendoj se është rruga se si ta bëjmë ligjin në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë Gruda.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Gruda lidhet me faktin se disa çështje të rëndësishme janë lënë për t’u rregulluar me akte nënligjore. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka theksuar se çështjet që prekin të drejtat dhe liritë duhet të rregullohen drejtpërdrejt me ligj, dhe jo përmes akteve dytësore.
“Vërejtja e dytë. Kushtetuesja ka bërë vërejtje për ligjin se asgjë s’mund të rregullohet me akte nën-ligjore, por me ligj. Ajo dispozitë që i është lënë drejtorit për veprime me disa akte-nënligjore duhet të fshihet…..Mungesa e mekanizmit për kompensim efikas. Ky mekanizëm e bën byronë më efikase, për të mos u marrë me çfarëdo rasti”, ka thënë ai tutje.
Po ashtu, ai ka përmendur mungesën e një mekanizmi efikas për kompensim në rastet kur pasuria e bllokuar rezulton të jetë e ligjshme, duke shtuar se kjo do të ndikonte në funksionimin më të drejtë të Byrosë.
Gruda ka kritikuar edhe mënyrën e hartimit të projektligjit, duke thënë se ai nuk është shkruar në gjuhë të mirëfilltë juridike, çka sipas tij krijon paqartësi në interpretim.
Në fund, ai ka ngritur shqetësime edhe për emërtimin e projektligjit, duke theksuar se titulli nuk përputhet me përmbajtjen, pasi Byroja nuk ka kompetencë për konfiskim.
