Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhje, po e bllokon në forma të ndryshme konstituimin e Kuvendit.
Gruda ka deklaruar se Kuvendi duhet të konstituohet deri më 16 shtator, ndërsa ka thënë se PDK-ja është e gatshme t’i votojë nënkryetarët në çfarëdo forme, nëse VV-ja siguron përfundimin e procesit të konstituimit.
“Po vazhdon bllokada në Kuvend, ka ardhur sot partia që ka fituar zgjedhjet për lojën e radhës. PDK-ja voton për nënkryetarët e Kuvendit në çfarëdo forme qoftë, nëse VV-ja siguron që e konstituon Kuvendin. Nuk mund të mos kemi Kuvend më 16 shtator”, ka thënë Gruda.
Ai ka kritikuar VV-në për mënyrën e veprimit, duke pretenduar se qëllimi është shtyrja e konstituimit të Kuvendit.
“Qëllimi është të mos konstituohet Kuvendi, nuk po duan dhe për atë arsye po krijojnë pengesa”, është shprehur Gruda.