Përparim Gruda, ka thënë se PDK nuk përjashton asnjë parti për marrëveshje politike, por ka ngritur si “vijë të kuqe” qëndrimin ndaj gazit amerikan.
Në Debat Plus, Gruda ka deklaruar se partia e tij nuk ka vija të kuqe me askënd për marrëveshje, por ka theksuar se dallimet me Lëvizjen Vetëvendosje janë të mëdha në disa çështje.
Ai ka thënë se, sipas tij, refuzimi i gazit amerikan nga ana e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, përbën një rrezik kombëtar dhe duhet të merret si vijë e kuqe në çdo bashkëpunim të mundshëm qeverisës.
“Ne nuk kemi vija të kuqe me askënd për asnjë lloj marrëveshje. Ne kemi shumë dallim enë plotë çështje me Vetëvendosjen. Por refuzimi i fundit që i ka ndodhur gazit amerikan, nëse ky qëndrim bëhet mendoj se është rrezik kombëtar për Kosovën nëse ne i bëjmë të mundur Albin Kurtit qeverisjen në Kosovë. Unë sa shoh Kurti e ka bindje të palëkundur që refuzon gazin amerikan”.
“Nëse bëhet fjalë për një qeveri që e refuzon gazin amerikan, që ka ende tendenca të tilla për ta mbajtur Kosovën të varfër, unë mendoj që është një koalicion i pamundur, por nuk e përjashtoj si negocim”, ka thënë tutje Gruda.
Gruda ka shtuar se ky qëndrim, sipas tij, nuk është vetëm çështje ekonomike, por lidhet drejtpërdrejt me orientimin strategjik të Kosovës.