Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka reaguar me tone ironike pas një vendimi të diskutueshëm në ndeshjen ndaj Arsenalit, duke vënë në pikëpyetje standardin e gjykimit në Premier League.
Gjatë një konference për media, Guardiola komentoi një situatë ku u akordua faull ndaj portierit të Arsenalit, David Raya, pas një goditjeje nga këndi.
Me një dozë të theksuar sarkazme, tekniku spanjoll u shpreh: “Jam shumë i lumtur që kemi nderin të bëjmë faullin e parë në Premier League në një korner ndaj Rayas. Është një privilegj për ne.”
Deklarata e tij vjen në një periudhë kur vendimet e arbitrave në elitën e futbollit anglez po diskutohen gjithnjë e më shumë, sidomos në situata të kontaktit në zonë gjatë goditjeve standarde.
Raste të tilla kanë nxitur shpesh debate mbi mbrojtjen që u jepet portierëve në Angli, ku shumë trajnerë dhe analistë besojnë se standardi i faulleve nuk është gjithmonë konsistent. Reagimi i Guardiolës shihet si një kritikë indirekte ndaj këtij fenomeni.