Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka kritikuar rreptë punën e Gjykatës Speciale në Hagë lidhur me atë që ai e vlerëson si zvarritje të qëllimshme të procesit pa lënë anash, bashkëpunimin me gjykatat serbe.

Sipas tij, në këtë proces drejtësia nuk po zbatohet për të gjithë njësoj.

 “Me të gjithë falsifikimin që është duke u bërë me gjykatë, është duke punuar dhe bashkëpunuar me gjykatat serbe. E dimë se çka mendojnë gjykatat serbe për neve. Ata mendojnë të keqen gjithmonë. Ne kemi protestuar se pse kjo gjykatë është e një etnie, vetëm për shqiptarët dhe për pjesëtarët e UÇK-së dhe nuk është bërë Gjykatë Speciale për të gjithë ata që kanë luftuar në Kosovë: shqiptarë, serbë, romë, turq apo kushdo që kanë qenë të involvuar në Kosovë. Drejtësia nuk njeh etni, por gjykata bëhet për të gjithë qytetarët e vendit nëse kanë bërë gabime apo shkelje”, tha ai për Ekonomia Online.

Në ndërkohë, Kryetari Gucati tha se prapa zvarritjes së procesit, fshihen qëllime të caktuara.

 “Kjo gjykatë me qëllim po e zvarrit çdo proces. Është duke e bërë me qëllime të caktuara. Tash a e bën me qëllim të parasë, sepse i kanë pagat e majme apo duke e bërë me qëllime të caktuara për të na shkaktuar neve dëm, te qytetarët të shkaktojë një pakënaqësi të madhe apo dëshiron ta barazojë luftën e lavdishme të UÇK-së me luftën serbe me çetnikët serbë”, tha Gucati.

Procesi në Hagë po zhvillohet kundër ish-krerëve të UÇK-së, ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Kosovës, Rexhep Selimi.

Që të katërt, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, krime të cilat i kanë mohuar që të gjithë.