Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka deklaruar se protestat e organizuara nga kjo organizatë në 15 komuna të Kosovës po zhvillohen në mënyrë të qetë.
Gucati, në një linjë direkte nga Skenderaj me gazetaren Dorentina Thaqi, deklaroi se në të gjitha komunat protestat po zhvillohen pa incidente, ndërsa bëri të ditur se janë ndryshuar oraret për tri komuna.
“Kemi informacione se në të gjitha komunat protestat janë duke u zhvilluar të qeta dhe gjithçka po shkon mirë. Kemi bërë ndryshim orari për tri komuna, në Prishtinë protesta nis në orën 21:00, në Prizren dhe në Dragash në orën 19:00”, u shpreh Gucati.
Ai falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen dhe mbështetjen, duke veçuar pjesëmarrjen e të rinjve në Skenderaj, pavarësisht kushteve të motit.
“Në Skenderaj që është edhe vendlindja ime edhe në këto kushte moti pati shumë qytetarë që morën pjesë, sidomos rinia por i falënderoj të gjithë qytetarët nga të gjitha qytetet e Kosovës por edhe të gjitha trevat për gjithë mbështetjen që po na e japin në këto momente të vështira me çlirimtarët e UÇK-së e Kosovës që u dënuan me 81 vjet burg e që mund të them se të gjithë serbët nuk janë dënuar me kaq vjet edhe pse dihen të gjithë masakrat që kanë bërë”, tha Gucati.
Protestat janë organizuar nga OVL-UÇK në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, me të cilin katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.