Gucati operon plagën e luftës në Holandë ku po mbahet në paraburgim
“Jam invalid i luftës me shkallën e invaliditetit 75% të dëmtimit të trupit”. Që në seancën e parë, Hysni Gucati njoftoi Gjykatën Speciale për dëmtimet që ia ka shkaktuar lufta. E këtë të hënën, më shumë se dy vite pas kësaj deklarate, larg familjes, në Holandë, Gucati i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik pikërisht për […]





“Jam invalid i luftës me shkallën e invaliditetit 75% të dëmtimit të trupit”.
Që në seancën e parë, Hysni Gucati njoftoi Gjykatën Speciale për dëmtimet që ia ka shkaktuar lufta.
E këtë të hënën, më shumë se dy vite pas kësaj deklarate, larg familjes, në Holandë, Gucati i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik pikërisht për një plagë të luftës.
Operimi që zgjati rreth pesë orë, është bërë në këmbën e djathtë të Gucatit.
Familjarë të tij, të shqetësuar për gjendjen, nuk janë lejuar që Gucatit t’i qëndrojnë atij afër në këto momente të vëshira për të.
“Në momentin që e kemi kuptuar që Hysniu po i nënshtrohet një operacioni ne tërë kohën kemi bërë kërkesë pranë Gjykatës Speciale, që të paktën dikujtë prej familjes t’i lejohet me qenë pranë tij, mirëpo Gjykata na e ka refuzu këtë kërkesë”, ka rrëfyer Musli Gucati – Djali i Hysni Gucatit.
Djali i Hysni Gucatit, Musliu, i ka treguar Televizionit përmes telefonit se babai i tij i është nënshtruar një intervenimi mjaft të vështirë.
“Operacioni vet fakti që ka fillu dikund para katër orëve ose pesë dhe akoma nuk ka përfundu, tregon se është një operacion mjaft i vështirë dhe i komplikuar, sepse ka pasur probleme të vazhdueshme me këmbën ku është plagosë dhe ky operacion do të duhej të kryhej rreth dy viteve më parë, mirëpo për shkak të arrestimit nuk ka mujtë me e kry dhe Gjykata e ka zvarritë dhe deri në momentin e fundit kur e ka pa që është detyru me e përfundu këtë operacion”.
Intervenimi kirurgjik, Gucati ka thënë se ka qenë mjaft i kushtueshëm dhe se të gjitha shpenzimet do t’i mbulojnë Dhomat e Specializuara.
Jo zyrtarisht mësohet se shpenzimet mbërrijnë shifrat qindra mijëra euro.
Ndërkohë, vonesat që ka shkaktuar Specialja në trajtimin kirurgjik të Gucatit, i ka kritikuar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë.
“Ofrimi i shërbimeve shëndetësore është një parimev bazë dhe është një prej të drejtave themelore të njeriut, të personave të privuar nga liria… Realisht për neve si monitorues të të drejtave të njeriut ka qenë e habitshme qysh Gjykata Speciale ka shtyer deri në këtë kohë këtë operacion. Ndoshta qëllimi ka qenë që të shtyhet deri në fund, deri sa zotëri Gucati nuk morri një vendim final”, ka thënë Valentina Demolli – KMDLNJ.
Procesi gjyqësor ndaj Gucatit tashmë ka përfunduar në shkallë të parë.
Atij i është shqiptuar një dënim prej katër vite e gjysmë burgim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.




















