Hysni Gucati, duke folur para protestuesve të mbledhur para Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se po tentojnë të jenë para derës së Kuvendit që të mos i lejojnë deputetët të dalin nëse nuk votohet Projektligji për Specialen.
Gucati ka thënë se qëllimi i protestuesve është që Projektligji të votohet dhe deputetët të mos largohen nga Kuvendi pa marrë një vendim.
“Na po tentojmë me marrëveshje, me hy deri aty ku e kemi qëllimin. Qëllimi është me shku deri aty që mos me i lënë deputetët me dalë jashtë”, ka thënë Gucati.
Ai ka theksuar se protestuesit nuk janë kundër Policisë së Kosovës dhe se nuk dëshirojnë përplasje me pjesëtarët e saj.
“Ne s’jemi kundër policisë, as me e sulmu, as me e dëmtu policinë. Na e mbrojmë”, ka deklaruar ai.
Gucati është pyetur edhe për deklarimet lidhur me mundësinë e marrjes së masave në rast se Projektligji nuk votohet dhe për paralajmërimet për përshkallëzim të situatës.
Ai ka thënë se është i bindur se Projektligji do të votohet dhe se, në këtë rast, nuk pret përshkallëzim të situatës.
“Jam i bindur që do të kalojë, se votohet ligji. Nëse votohet ligji, nuk ka përshkallëzim”, ka thënë Gucati.