Guri i Nënës Pashkë vazhdon të qëndrojë në kompleksin e Mejës
U mor nga mbeturinat e u dërgua në Kompleksin Memorial të Mejës. Por mbi dy muaj më vonë, qëndrimi i gurit që simbolizonte dhimbjen e një nëne për dy fëmijët e vrarë nga forcat serbe, megjithëse u tha se do të jetë i përkohshëm, vazhdon të mbetet në vendin e njëjtë, pa ndonjë plan konkret […]
U mor nga mbeturinat e u dërgua në Kompleksin Memorial të Mejës.
Por mbi dy muaj më vonë, qëndrimi i gurit që simbolizonte dhimbjen e një nëne për dy fëmijët e vrarë nga forcat serbe, megjithëse u tha se do të jetë i përkohshëm, vazhdon të mbetet në vendin e njëjtë, pa ndonjë plan konkret të bërë publik.
Për gurin e Nënës Pashkë, sipas nipit të saj, prej kohës kur bëri bujë me largimin nga vendi fillestar dhe përfundimin në kompleks, nuk u interesua më askush.
Ai apelon tek institucionet përgjegjëse që të mos e lënë në këtë gjendje dhe sa më parë të gjejnë një zgjidhje.
Muaj më parë nga ministria e Kulturës thanë se së pari guri do të inventarizohet dhe më pas ekspertët do të gjejnë lokacionin e duhur për të.
Guri i nënës që dogji veten pasi varrosi dy djemtë e vrarë gjatë luftës u largua nga vendi ku qëndroi shumë vite, me vendimin e pronarit të parcelës që fillimisht kishte lejuar vendosjen e tij, gati dy dekada më parë.
Pashke Krasniqi Markaj, kishte djegur veten në vitin 2003, pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve të dy djemve të saj që ishin vrarë në luftë, e ishin gjetur në varrezat masive në Batajnicë.















