Hadergjonaj: Jam e bindur që në Kukës s’ka pasur krime, nuk i dëgjoj thashethemet e kësaj gjykate
Dëshmitarja, Safete Hadergjonaj, gjatë dëshmisë së saj të enjten në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, ka thënë se është e bindur që në Kukës nuk ka pasur krime. Deklarata e saj erdhi pasi mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, i tha dëshmitares që ai përfaqëson viktimat e krimeve që kanë ndodhur në Kukës, raporton “Betimi për […]
Dëshmitarja, Safete Hadergjonaj, gjatë dëshmisë së saj të enjten në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, ka thënë se është e bindur që në Kukës nuk ka pasur krime.
Deklarata e saj erdhi pasi mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, i tha dëshmitares që ai përfaqëson viktimat e krimeve që kanë ndodhur në Kukës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Këtë që thua e kuptoj, por nuk e kuptoj që në Kukës ka pas krime dhe jam e bindur që aty nuk ka pas krime”, tha dëshmitarja Hadergjonaj.
Ajo tha se nuk i intereson të dëgjojë sajesa nga Shërbimi Sekret Serb e po ashtu, sipas saj, edhe thashethemet e Gjykatës Speciale.
“Unë arrij në përfundimin që sapo thashë se nuk kam dëgju kurrë nga askush që ka pas gjëra të tilla në Kukës dhe unë kam të drejtë ta ruaj mendimin tim të bazuar në këtë që ajo çka po thoni ju ndalesë në Kukës është sajesë e Shërbimit Sekret Serb, prandaj nuk më interesojnë gjërat e tilla t’i lexoj. Unë nuk kam dëgju kurrë që ka pasë gjëra të atilla aty. Sikur ta kisha dëgju prej dikujt, unë do t’ua thosha me sinqeritetin më të madh, por unë nuk kam dëgju. Nuk kam informatë që aty ka pasë diçka. Nuk i dëgjoj dhe as nuk i lexoj thashethemet e kësaj gjykate që kanë shqitë nga ajo për të cilën është formu”, tha Hadergjonaj.
Këtë deklarim, ish-deputetja e bëri pasi avokati Laws e pyeti nëse për rastin në Kukës ka ardhur në këtë përfundim, për shkak se nuk i ka lexuar materialet e kësaj çështjeje.
“Po e them, edhe dje, po e them edhe sot, materialet e kësaj çështje nuk i lexoj, sepse janë sajesa të Shërbimit Sekret Serb dhe nuk dua as me i lexu. Zotëri avokat, unë që jam ulë këtu si dëshmitare jam viktimë e regjimit gjenocidal të Serbisë dhe kurrkush nuk po merret me të drejtat dhe jetën time këtu. Kurrkush nuk po më mbron mua…okej”, tha Hadergjonaj, derisa ia ndërpreu fjalën kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veld-Foglia.
Më herët gjatë dëshmisë së saj është pyetur për deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, teksa tha se nuk e di nëse ajo do të dëshmojë në këtë çështje.
Këtë deklaratë, Hadergjonaj e bëri pasi u pyet nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, nëse e di që Kadrijaj do të ofrojë dëshmi në këtë çështje.
“Nuk e di”, u përgjigj shkurt Hadërgjonaj, duke shtuar se Kadrijaj është deputete e Kuvendit të Kosovës.
“Unë me sa di ajo jeton në Deçan a në Prishtinë, ajo është deputete në Parlamentin e Kosovës, nuk e di ku e ka vendqëndrimin. Fshati i origjinës është Restavicë”, tha dëshmitarja Hadergjonaj, e cila shtoi se nuk e di se sa larg është vendi i saj i origjinës me atë të Kadrijajt.
Ndërsa, e pyetur nëse ka mësuar ndonjëherë që të japë ndihmën e parë, Hadergjonaj e mohoi një gjë të tillë.
“Zotëri avokat, kurrë në jetën time nuk kam mësu se si jepet ndihma e parë dhe as sot nuk di se si jepet ndihma e parë, e them me përgjegjësi dhe nën betim”, tha dëshmitarja Hadergjonaj.
Hadergjonaj tha se edhe kur ka qenë mësuese nuk ka pasur rastin që të mësojë të ofrojë ndihmën e parë.
“Unë kam qenë mësuese e lëndëve ekonomike dhe s’kam pas lidhje me asgjë që ka të bëjë me shëndetësinë, mjekësi apo më gjerë”, shtoi ajo.
Ndryshe, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.















