Hajdari: Dyshoj se shpërthimi në veturë lidhet me detyrën time
Ora pak pa shënuar nëntë. U.d i drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari vjen në vendpune për ta nisur ditën me mbledhjen e bordit. Por, mbarëvajtjen e saj e pengon një shpërthim, e që del të jetë vetura private e Hajdarit. Shiritat vendosen me ardhjen e Policisë së Kosovës e dy orë më vonë, në terren […]
Ora pak pa shënuar nëntë.
U.d i drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari vjen në vendpune për ta nisur ditën me mbledhjen e bordit.
Por, mbarëvajtjen e saj e pengon një shpërthim, e që del të jetë vetura private e Hajdarit.
Shiritat vendosen me ardhjen e Policisë së Kosovës e dy orë më vonë, në terren vjen njësia antibombë e Policisë së Kosovës.
Motivi për atë që ishte cak, mbetet i panjohur.
“Konsideroj që ka të bëjë me punën time zyrtare në QKUK, me punët e mira. Ndoshta kjo punë iu pengon grupeve të ndryshme të interesit qoftë financiar ose të grupeve tjera që mund tl kenë lidhje me zyrtarë të QKUK-së por jemi të vendosur t’i vazhdojmë punët e mira. Përkundrazi nëse këto grupe kanë zgjedhur këto forma me na frikësu e kanë shumë gabim”, ka deklaruar Hajdari.
Hajdarit në vizitë pas shpërthimit i erdhi Ministri në detyrë i Shëndetësisë.
Takimi vazhdoi me orë të tëra, por Arben Vitija nuk u deklarua për media.
E detaje ndau vet Hajdari.
“Ska askush në jetën time që mund të më shantazhojë, as s’kam kurrfarë obligimi ndaj askujt. Kjo çështja s’ka të bëjë as me konkurs as asgjë. ministri ka ardhur tp më jap mbështetje dhe të tregojë vendosmërinë e qeverisë për ndryshimet që po ndodhin dhe luftimin e grupeve kriminale”, ka theksuar ai.
Detaje të tjera nuk ka dhënë as Policia e Kosovës e cila ka deklaruar për Dukagjinin se po vazhdon me detyrën deri në zbardhjen e plotë të rastit.
Ndërkohë, ngjarje të ngjashme ka pasur edhe në të kaluarën kur në 2022 ishte djegur dy herë vetura e drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK-së, Musa Vitija, që më vonë kishte dhënë dorëheqje pikërisht për shkak të mungesës së sigurisë për të.















