Ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ka mohuar që është mbrojtur në heshtje gjatë intervistimit në Prokurorinë Speciale lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

Në një deklaratë në Facebook, ajo tha se ka shprehur gatishmërinë e plotë për t’u përgjigjur pyetjeve të prokurorëve, por vetëm në “kushte që respektojnë ligjin”.

“Prandaj, nuk është e saktë që jam mbrojtur në heshtje dhe këtë gjë po ashtu e kam të dokumentuar me procesverbal, ku kam shprehur vullnetin tim të plotë që t’iu përgjigjem prokurorëve në kushte të krijuara sipas ligjeve në fuqi lidhur me rezervat shtetërore të mallrave. Por jo nën rrethana paligjshmërie, konflikti të interesit e manipulimit të qëllimshëm të opinionit publik rreth çështjes së rezervës shtetërore, që nga vera e vitit 2023”, ka shkruar ajo në Facebook.

Hajdari ka shtuar se procesi i blerjes së rezervave është klasifikuar si sekret shtetëror dhe se gjatë hetimeve ka pasur shkelje ligjore nga ana e policëve hetues dhe prokurorit Valdet Gashi, për të cilat MINT ka kërkuar hetim nga Agjencia kundër Korrupsionit.

“Por vetë prokurori Valdet Gashi i ka liruar policët nga përgjegjësia. Edhe pse kemi të dokumentuar pranimin e tij që gjendet në konflikt interesi në këtë rast, ai sërish vendos ta mbyllë lëndën e nisur nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe kundërligjshëm liron nga përgjegjësia penale shërbyesit e vet.  Pra, vet Prokurori Gashi shkel ligjin. Vet autorizon paligjshëm, vet i liron përgjegjësit nga përgjegjësia.  Ne MINT kemi kërkuar hetim nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit dhe vërtetimin e konfliktit të interesit. Me çështjet e sigurisë nuk duhet luajtur e as manipuluar. Konfliktin e interesit do ta dëshmojmë dhe do të kërkojmë veprime në emër të së drejtes e të drejtësisë”, ka shkruar tutje ajo.

Ministrja në detyrë ka theksuar se nuk do të lejojë manipulime dhe shkelje ligjore në këtë çështje të rëndësishme për sigurinë publike.